Ekskluzive | Nga viktimë e vjedhjes në të dyshuar për inskenimin e saj – arrestohet pronari i “Tactical” në Gjakovë, dyshohet se i shiti vetë mbi 100 armët

Ekskluzive | Nga viktimë e vjedhjes në të dyshuar për inskenimin e saj – arrestohet pronari i “Tactical” në Gjakovë, dyshohet se i shiti vetë mbi 100 armët

Written by

in

Ekskluzive | Nga viktimë e vjedhjes në të dyshuar për inskenimin e saj – arrestohet pronari i “Tactical” në Gjakovë, dyshohet se i shiti vetë mbi 100 armët

Denoncoi zhdukjen e mbi 100 armëve nga depoja e tij në Gjakovë, por vetëm pak ditë më vonë përfundoi vetë në prangat e Policisë. Një nga rastet më të bujshme të raportuara së fundmi për vjedhje armësh ka marrë një kthesë të papritur: hetuesit dyshojnë se vjedhja ishte inskenuar nga pronari i poligonit “Tactical” dhe se armët ishin shitur në mënyrë të kundërligjshme te persona të tretë.

Gazeta Sinjali, e cila raportoi më herët për zhdukjen e armëve nga depoja, ka mësuar se personi i arrestuar është Valon Curri (39), pronar i poligonit “Tactical” në Gjakovë.

Rasti ishte raportuar më 30 tetor, kur u denoncua zhdukja e mbi 100 armëve të zjarrit nga depoja e poligonit të licencuar, me një dëm të pretenduar prej mbi 100 mijë eurosh.

Një detaj kishte tërhequr vëmendjen që në fillim: në derën e depos nuk ishin vërejtur shenja të dukshme të thyerjes me forcë.

Por ajo që fillimisht po hetohej si vjedhje e armëve nga persona të panjohur, tashmë ka marrë një drejtim krejt tjetër.

Hetimet nxjerrin dyshime për inskenim dhe shitje të armëve

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ka ndërmarrë veprime hetimore për të zbardhur zhdukjen e armëve.

Provat dhe dëshmitë e siguruara gjatë hetimeve kanë ngritur dyshimin e arsyeshëm se denoncimi i vjedhjes ishte i inskenuar dhe se armët mund të jenë shitur nga vetë pronari i poligonit.

Këto zhvillime kanë bërë që hetimet të përqendrohen te personi që fillimisht kishte raportuar zhdukjen e tyre.

Bastisje në tri lokacione, arrestohet Valon Curri

Të martën, më 3 nëntor, njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zhvilluar një operacion në tri lokacione në rajonin e Gjakovës.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova materiale, ndërsa Valon Curri është arrestuar dhe shoqëruar për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave fillestare, me vendim të Prokurorisë së Shtetit, ndaj tij është caktuar ndalimi prej 48 orësh.

Curri po hetohet nën dyshimin për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Deklarimi i rremë”.

Ku përfunduan armët?

Një nga çështjet më të rëndësishme që mbetet për t’u sqaruar është se ku kanë përfunduar armët e raportuara si të vjedhura.

Nëse vërtetohen dyshimet se ato janë shitur te persona të tretë, hetimet do të duhet të zbulojnë kush i ka blerë, në çfarë rrethanash janë shitur dhe nëse mund të gjenden e të sekuestrohen.

Deri më tani, nuk ka informacion të konfirmuar për numrin e armëve eventualisht të gjetura apo për identitetin e personave që dyshohet se i kanë blerë.

Kështu, një rast që nisi me denoncimin e zhdukjes së mbi 100 armëve nga një depo e licencuar, është shndërruar në hetim penal ndaj vetë pronarit të saj.

Valon Curri mbetet i dyshuar dhe përgjegjësia e tij eventuale penale do të përcaktohet gjatë procedurës.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali