Sekuestrohen 37 kilogramë heroinë, arrestohen pesë persona

Sekuestrohen 37 kilogramë heroinë, arrestohen pesë persona

Written by

in

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se një grup kriminal ndërkombëtar është goditur në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Sveçla ka njoftuar se gjatë operacionit janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro, njofton Dukagjini.

Po ashtu, janë arrestuar pesë persona të dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Sveçla ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe ka thënë se angazhimi për mbrojtjen e qytetarëve do të vazhdojë të rritet.

“Republika e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë zonë e sigurt për kriminelët, e as për aktivitetet që cenojnë sigurinë e vendit, shëndetin dhe mirëqenien e rinisë dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.

Burimi: Dukagjini