Ekskluzive | Goditet grupi i dyshuar ndërkombëtar i drogës në Kosovë – kapen mbi 37 kilogramë heroinë, vlera rreth 550 mijë euro: Sinjali zbulon emrat e pesë të arrestuarve

Ekskluzive | Goditet grupi i dyshuar ndërkombëtar i drogës në Kosovë – kapen mbi 37 kilogramë heroinë, vlera rreth 550 mijë euro: Sinjali zbulon emrat e pesë të arrestuarve

Written by

in

Ekskluzive | Goditet grupi i dyshuar ndërkombëtar i drogës në Kosovë – kapen mbi 37 kilogramë heroinë, vlera rreth 550 mijë euro: Sinjali zbulon emrat e pesë të arrestuarve

Mbi 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, pesë persona të arrestuar dhe një ngarkesë droge që dyshohet se kishte mbërritur nga Azia në Kosovë. Një operacion i madh i antidrogës, i zhvilluar në Ferizaj dhe Prishtinë, ka goditur një grup të dyshuar kriminal me përbërje ndërkombëtare. Vlera e narkotikëve të sekuestruar në treg vlerësohet në rreth 550 mijë euro.

Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht identitetet e pesë personave të arrestuar gjatë operacionit të zhvilluar të martën, më 3 nëntor.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të arrestuarit janë Iskender Sale 43 vjeçar, Faton Sopa 67 vjeçar , Ali Cesuruglou 50 vjeçar, Veton Sopa 36 vjeçar dhe Agron Elezi 55 vjeçar.

Aksioni është realizuar nga Sektori Qendror i Hetimeve i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Operacioni është shtrirë në rajonet e Ferizajt dhe Prishtinës, ku janë kontrolluar pesë lokacione të dyshuara.

Heroina dyshohet se kishte ardhur nga Azia

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, hetuesit dyshojnë se sasia e narkotikëve ishte transportuar nga vendet aziatike drejt Republikës së Kosovës.

Gjatë operacionit janë zbuluar dhe sekuestruar 37 kilogramë e 332 gramë substancë e dyshuar heroinë, e ndarë në gjithsej 62 paketime.

Vlera e kësaj sasie në tregun e paligjshëm vlerësohet në rreth 550 mijë euro, duke e bërë këtë një sekuestrim të konsiderueshëm narkotikësh.

Sipas dyshimeve hetimore, personat e arrestuar mund të kenë vepruar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa hetimet po synojnë të zbardhin rolin e secilit dhe lidhjet e mundshme ndërkombëtare.

Dy shtetas turq, një nga Maqedonia e Veriut dhe dy nga Kosova

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pesë të arrestuarit janë shtetas të tri vendeve.

Dy prej tyre janë shtetas turq, një është shtetas i Maqedonisë së Veriut, ndërsa dy të tjerët janë shtetas të Kosovës.

Përveç heroinës, gjatë bastisjeve janë sekuestruar edhe sende të tjera që mund të kenë rëndësi për hetimet.

Hetuesit kanë gjetur 5,300 euro dhe 100 dollarë para të gatshme, një veturë, dhjetë telefona celularë, një pajisje DVR për regjistrimin e kamerave, 15 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe një mjet prerës.

Të gjitha këto sende janë sekuestruar si prova materiale në kuadër të procedurës penale.

Pesë të arrestuarit hetohen për trafikim të narkotikëve dhe krim të organizuar

Personat e arrestuar dyshohen për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

Pas arrestimit, me vendim të Prokurorisë së Shtetit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit.

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur prejardhjen e ngarkesës, mënyrën e transportimit të saj në Kosovë dhe destinacionin e mundshëm të narkotikëve.

Personat e arrestuar gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali