Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, fitorja ndaj italianëve ishte vendimtare për të ardhmen e trajnerit anglez, pasi një tjetër humbje në “Old Trafford” do ta kishte vështirësuar jashtëzakonisht shumë vazhdimin e tij në krye të skuadrës.
Manchester Unitedi ishte në prag të ndeshjes së dhjetë radhazi pa fitore, pasi Matias Soule dhe Donyell Malen shënuan dy gola brenda 17 minutave të para për Romën.
Skuadra angleze shkoi në pushim me disavantazh prej dy golash, ndërsa tifozët e përcollën ekipin me vërshëllima. Megjithatë, reagimi në pjesën e dytë ishte i jashtëzakonshëm, pasi “Djajtë e Kuq” përmbysën rezultatin dhe fituan 3-2.
Romano ka bërë të ditur se ky triumf i ka dhënë Carrickut mundësi të tjera për të qëndruar në stol.
“Kjo fitore do të thotë se Michael Carrick vazhdon rrugëtimin e tij si trajner i Manchester Unitedit. Ai do të ketë më shumë mundësi, përfshirë edhe ndeshjen e ardhshme. Ky rezultat do të ndihmojë në ndërtimin e një vazhdimësie pozitive”, ka deklaruar Romano në kanalin e tij në YouTube.
Megjithatë, e ardhmja e trajnerit anglez mbetet e lidhur ngushtë me rezultatet e ardhshme, veçanërisht me përballjen ndaj Aston Villas, e cila zhvillohet të dielën në “Old Trafford”.
Emery, kandidati i preferuar për projektin afatgjatë
Në rast të ndryshimeve në stolin e Manchester Unitedit, njëri prej emrave që pëlqehet më së shumti nga drejtuesit e klubit është trajneri i Aston Villas, Unai Emery.
Sipas Romanos, drejtuesit e klubit anglez e vlerësojnë spanjollin si një trajner të jashtëzakonshëm dhe besojnë se ai mund të jetë njeriu i duhur për ta udhëhequr projektin afatgjatë dhe për ta rikthyer Unitedin në majat e futbollit.
Megjithatë, transferimi i Emeryt nga Aston Villa paraqet vështirësi të konsiderueshme dhe një mundësi e tillë mund të shqyrtohet në një periudhë tjetër.
Romano ka theksuar se drejtuesit e Manchester Unitedit kanë synim t’i besojnë Carrickut në ndeshjet e ardhshme, ndërsa një vlerësim më i plotë i situatës pritet të bëhet gjatë pushimit për ndeshjet e përfaqësueseve.
Gjatë kësaj periudhe, pronarët dhe drejtuesit e klubit do t’i analizojnë të gjitha mundësitë përpara se të marrin një vendim përfundimtar lidhur me të ardhmen e trajnerit.
Ndërkohë, disa futbollistë të Manchester Unitedit kanë shprehur publikisht mbështetjen për Carrickun, duke insistuar se janë të vendosur të përmirësojnë rezultatet dhe ta nxjerrin skuadrën nga kriza.
Burimi: RTKLive
