
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Kosova ka mbetur e përkushtuar në proceset e integrimit evropian.
Ajo ka thënë se bllokada politike dhe institucionale në Kosovë ka ndikuar në zbatimin e reformave, derisa ka mirëpritur zgjedhjen e presidentes.
Këto deklarata ajo i ka thënë derisa ka paraqitur rezultatet e raportit për progresin e arritur nga vendet e Ballkanit Perëndimor për proceset integruese.
“Kosova ka mbetur e përkushtuar ndaj rrugëtimit të saj evropian, duke gëzuar një mbështetje të gjerë nga publiku. Bllokimi institucional ndikoi në zbatimin e reformave që lidhen me BE-në gjatë periudhës së raportimit. Megjithatë, së fundmi, Kosova ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave. BE-ja e mirëpret zgjedhjen e presidentit të ri dhe shpresojmë se rikthimi i stabilitetit institucional do t’i mundësojë Kosovës të ecë përpara”, ka thënë ajo.
Përpara të pranishmëve, Kos ka folur veç e veç për shtetet që kanë aspirata integruese në BE, duke potencuar hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen. /Klankosova.tv