Futbollisti spanjoll vdiq në spital, pasi një ditë më parë ishte përplasur me portierin e FC Andorrës, Jesus Owono, gjatë një ndeshjeje të kategorisë së dytë të futbollit spanjoll. Pas incidentit, portieri u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa De Miguel mbeti i shtrirë në fushë dhe takimi u ndërpre.
Sulmuesi kishte pësuar lëndime në kokë dhe në gjoks. Fillimisht, gjendja e tij u raportua si e rëndë, por e qëndrueshme. Megjithatë, gjatë mëngjesit të së martës, ajo u përkeqësua dhe futbollisti nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Pas ngjarjes, autoritetet spanjolle kanë nisur hetime ndaj portierit Owono për mundësinë e një vepre penale të shkaktuar nga pakujdesia. Sipas raportimeve, portieri ka përjetuar një tronditje të madhe emocionale pas incidentit dhe është shembur në dhomën e zhveshjes.
Megjithatë, kryeprokurori i Santa Cruz de Tenerife, Jose Luis Sanchez-Jauregui, ka vlerësuar se është “shumë e pamundur” që ndaj 25-vjeçarit të ngrihet një procedurë penale.
Në shenjë respekti për futbollistin e ndjerë, para ndeshjeve të Ligës së Kampionëve të së martës në mbrëmje u mbajt një minutë heshtje, e cila do të përsëritet edhe të mërkurën.
Ndërkohë, tifozët e Tenerifes organizuan homazhe prekëse në stadiumin e klubit. Ata vendosën lule, ndezën qirinj dhe lanë fotografi e mesazhe në kujtim të De Miguelit.
“Sot, zemra e Tenerifes është në zi. Është e vështirë të gjesh fjalë kur dikush që ka qenë pjesë e historisë sonë largohet para kohe”, thuhej në njërin prej mesazheve të lëna nga tifozët.
Burimi: RTKLive
