Fitorja e demokratëve nuk është ndonjë lajm i mirë për vendin. Gjatë fuqisë së tyre Kosova për 8 vite nuk kishte asnjë njohje… ndërsa nga Republikanët dhe Trump i kishte 2. Ajo e Izraelit dhe e Sirisë.
Shkruan Valon A. Syla:
Fitorja e demokratëve në Amerikë, në zgjedhjet e “mesit të mandatit”, më shumë do të ketë ndikim të brendshëm, me efekt kufizimin e fuqisë së ekzekutivit apo të Presidentit Trump. Kjo në aspektin financiar, buxhetet, hetimet, “llogari kërkimi” ndaj Qeverisë e deri te mundësia për procedurë shkarkimi (impeachment), e cila mund të vijë nëse evidentohen shkelje të mëdha.
Trump i kishte dy raste, më 2019 dhe 2021, por në të dyja rastet Senati i kishte hedhur poshtë. Në fakt, asnjë President në Amerikë nuk ka arritur të shkarkohet dhe cinikët shpeshherë flasin se gjasat për atentat, sikurse rastet ndaj Presidentit Lincoln dhe Kennedy, janë më të mëdha sesa ato për shkarkim. Kjo duke u bazuar në përvojat historike amerikane.
Trump i kishte pasur dy raste të tentim-atentatit gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024.
Te politika e jashtme, ndikimi do të jetë i madh për vatrat e krizave dhe luftërave.
Në Ukrainë: Presion për vazhdimin e mbështetjes financiare pro-Ukrainës.
Me Izraelin: Më shumë kontroll dhe hetime për luftërat ku izraelitët implikohen, si konflikti i brendshëm me palestinezët dhe ai me Iranin.
Këtu mund të ketë hetime, bllokime dhe radar të sforcuar mbi politikat e Trumpit.
Me Kosovën, kjo do të thotë forcim i politikave të BE-së për ne dhe krejt Ballkanin. Si, për shembull, rritja e presionit për implementimin e Asociacionit dhe Marrëveshjes së Ohrit.
Megjithatë, kjo mbetet ende kompetencë kryesore e Presidencës Trump, por me më shumë ndikim nga Kongresi dhe Senati te stafi diplomatik dhe mbështetja financiare, qoftë për shtyrje ose bllokim.
Gjatë kohës së Trumpit, ne nuk ishim as në agjendë… dhe nuk kemi as ambasador që 22 muaj. Kjo tregon mjaft për politikën e jashtme. Dush i ftohtë. Liderët e UÇK-së në Hagë dhe transaksione gjithandej…
Me fitoren e demokratëve, gjasat janë që të emërohet ndoshta një ambasador, i cili do të ketë qëndrim në stilin “dëgjojeni Brukselin” dhe planet franko-gjermane në variantin më të thjeshtuar.
Në esencë, amerikanët në politikëbërje mendojnë se e kanë kryer punën me Kosovën, me çlirimin, pavarësimin dhe njohjen e Republikës… Të tjerat janë çështje evropiane, shqiptare dhe serbe.
Qikaq.
Fitorja e demokratëve nuk është ndonjë lajm i mirë për vendin. Gjatë kohës së tyre në pushtet, Kosova për 8 vjet nuk kishte asnjë njohje… ndërsa nga republikanët dhe Trumpi i kishte 2. Ajo e Izraelit dhe e Sirisë.
Pak a shumë, ky është bilanci. Nuk mbetemi as bira e fundit e kavallit, siç thonë shqiptarët e vjetër.
Burimi: Dukagjini
