William Baeten është një prej futbollistëve më të paguar në futbollin kosovar, të paktën sipas shifrave të publikuara nga mediumi rumun ProSport. Futbollisti belg, i cili iu bashkua Dritës gjatë verës së vitit 2026, raportohet se përfiton rreth 12,500 euro në muaj.
Kjo shumë e vendos Baetenin në mesin e futbollistëve me pagat më të larta të raportuara ndonjëherë në futbollin e Kosovës.
Nëse shifra e publikuar nga mediumi rumun është e saktë, ai përfiton rreth 150 mijë euro në vit vetëm nga paga, pa llogaritur bonuset apo përfitimet e tjera që mund të jenë pjesë e marrëveshjes me klubin gjilanas.
William Baeten te Drita në ndeshje në Superligën e Kosovës
Belgu 29-vjeçar erdhi te Drita pas një periudhe me disa ndryshime në karrierë, duke kaluar fillimisht nëpër futbollin rumun dhe më pas atë shqiptar.
Ai ishte transferuar te FCSB nga FCU Craiova për rreth 300 mijë euro, por nuk arriti të sigurojë një rol të rëndësishëm dhe, pas vetëm një viti, u largua pa kompensim transferimi.
Pas aventurës në Rumani, Baeten iu bashkua Flamurtarit në Shqipëri. Megjithatë, as aty nuk arriti të qëndronte gjatë, pasi u largua në fillim të vitit 2026, pas rreth gjashtë muajsh. Më pas, mesfushori belg vazhdoi karrierën në Kosovë, duke nënshkruar me Dritën.
Emri i tij ishte rikthyer në vëmendjen e mediave rumune edhe për shkak të një çështjeje gjyqësore me ish-klubin FCSB dhe pronarin Gigi Becali.
William Baeten te FCSB
FIFA, më 23 shtator 2026, i kishte shqiptuar klubit rumun ndalesë për regjistrimin e futbollistëve në tri afatet e ardhshme kalimtare, për shkak të një borxhi prej rreth 50 mijë eurosh ndaj Baetenit.
FCSB më pas e shlyeu detyrimin financiar ndaj futbollistit belg, duke e zgjidhur çështjen që kishte sjellë sanksionin. Kështu, Baeten fitoi betejën për pagesën e shumës që i takonte nga ish-klubi i tij.
Ndërkohë, aventura e tij te Drita nuk ka shkuar pa vështirësi. Pasi kishte nisur të luante rregullisht, Baeten pësoi një dëmtim muskulor që e mbajti jashtë fushave për rreth dy muaj.
William Baeten te Drita në përgatitje
Ai mungoi në pesë ndeshje, ndërsa në dy përballjet e fundit ishte në bankën rezervë, por nuk u aktivizua. Deri tani ai ka 11 ndeshje me Dritën në të gjitha garat, ndërsa ka prodhuar edhe dy asistime. /Telegrafi/