Portieri i Andorrës, Jesus Owono, ka folur publikisht për herë të parë pas vdekjes së sulmuesit të Tenerife, Jesus de Miguel.
Në një deklaratë të publikuar nga klubi i tij, Owono ka pranuar se po kalon ditët më të vështira të jetës, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e futbollistit të ndjerë.
Portieri e bëri deklaratën të mërkurën përmes kanaleve zyrtare të FC Andorra. Më parë, ai kishte mbyllur llogarinë e tij në Instagram për shkak të fyerjeve dhe kërcënimeve që po merrte.
“Këto janë ditët më të vështira të jetës sime. E kam të vështirë t’i gjej fjalët dhe ta kuptoj gjithçka që ka ndodhur”.
“Ndjej një dhimbje të jashtëzakonshme për humbjen e Jesusit. Mendoj për të, familjen e tij dhe të gjithë ata që e kanë dashur. E di se do të ketë shumë pyetje për të cilat duhet të flitet dhe do të përballem me gjithçka që vjen me respekt të plotë”.
“Por tani nuk mund të mendoj për asgjë tjetër përveç Jesusit dhe dhimbjes që po përjetojmë. Pusho në paqe, Jesus”.
De Miguel, 30-vjeçar, ndërroi jetë të martën në mëngjes në një spital në Santa Cruz de Tenerife, pasi pësoi arrest kardiak pas një përplasjeje me Owonon gjatë kohës shtesë të ndeshjes Tenerife – Andorra, të zhvilluar të hënën.
Policia ka hapur hetime për vdekjen e tij, ndërsa rasti është nën mbikëqyrje gjyqësore.
Ndërkohë, ndeshja e radhës e Andorrës ndaj Mallorcas është shtyrë në shenjë respekti për futbollistin e ndjerë./Telegrafi/