Kryeministri Hristijan Mickoski në panelin “Rezistenca si imperativ për të gjithë shoqërinë”, i cili u mbajt në kuadër të Samitit për Rezistencën në Rajnën Veriore-Vestfali, në Dyseldorf tha se Maqedonia prej 15 vitesh nuk është anëtare e BE-së për shkak të çështjeve artificiale.
Mickoski theksoi se aktualisht Maqedonia po përballet me një kërkesë artificiale nga një vend anëtar i BE-së, gjë që, sipas tij, mund të shihet edhe si cenim i rezistencës së vetë Bashkimit Evropian.
“Në Dyseldorf mora pjesë në Samitin kushtuar rezistencës në Rajnën Veriore-Vestfali, ku në panelin „Rezistenca si imperativ për të gjithë shoqërinë“ theksova se Maqedonia prej 15 vitesh nuk është anëtare e BE-së për shkak të çështjeve artificiale. Tani po përballemi me një kërkesë artificiale nga një vend anëtar i BE-së dhe kjo mund të shihet edhe si cenim i rezistencës së BE-së. Kur ekziston një boshllëk i tillë në sistem, atëherë bëhet fjalë për cenueshmëri të sistemit. Jo gjithmonë rrënimi i sistemit shkaktohet nga armët, por edhe nga burime të tjera. Prandaj nevojitet një veprim i fuqishëm i BE-së, kur një vend kandidat përballet me çështje të shekullit të kaluar, të ngritura nga një vend anëtar i BE-së”, publikoi Mickoski në profilin e tij në Facebook.
Anëtarësimi në BE, theksoi Kryeministri gjatë panelit, nënkupton ndryshim përmes shtimit të vlerave, e jo ndryshim të identitetit.
“Ne e filluam këtë rrugëtim para 26 vitesh, madje edhe para Kroacisë, e cila tani është vend anëtar i BE-së. Ne luftojmë për të drejtat tona, jemi pjesë e NATO-s, jemi plotësisht të harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së, e mbrojmë BE-në nga migrimi i paligjshëm nga vendet anëtare të BE-së dhe kështu do të vazhdojmë”, theksoi Mickoski.