Aleanca: Raporti i Progresit vulosi dështimin gjashtëvjeçar të qeverisë

Aleanca: Raporti i Progresit vulosi dështimin gjashtëvjeçar të qeverisë

Written by

in

Aleanca: Raporti i Progresit vulosi dështimin gjashtëvjeçar të qeverisë

Aleanca ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, duke e cilësuar atë si dëshmi të stagnimit dhe degradimit institucional të Kosovës pas më shumë se gjashtë vitesh qeverisje.

Në reagimin e publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Aleanca ka thënë se raporti përmban vlerësime të rënda për gjendjen në vend, me konstatime për mungesë progresi dhe progres të kufizuar në disa fusha.

Sipas Aleancës, raporti dëshmon se Kosova ka shënuar kthim prapa në rrugëtimin drejt integrimit evropian, ndërsa kriza politike dhe zgjedhjet e përsëritura kanë bllokuar institucionet dhe kanë lënë vendin pa orientim.

Në fushën e drejtësisë, Aleanca ka vlerësuar se premtimet për reforma të thella nuk janë përmbushur, duke theksuar se gjyqësori mbetet i cenueshëm nga ndërhyrjet dhe se rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë të kufizuara.

Partia ka kritikuar gjithashtu menaxhimin e financave publike, duke thënë se qeveria ka injoruar rekomandimet e vitit të kaluar dhe ka dëmtuar menaxhimin e investimeve dhe besueshmërinë e Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë.

Ky subjekt politik ka kundërshtuar edhe narrativën e qeverisë për rritje ekonomike, duke theksuar se ekonomia e Kosovës vazhdon të përballet me konkurrueshmëri të dobët, varësi nga importet dhe papunësi, veçanërisht te gratë dhe të rinjtë.

Në reagim janë përmendur edhe problemet me mbrojtjen e të drejtave elementare, përhapjen e dhunës me bazë gjinore dhe presionet ndaj mediave, transmeton Klankosova.tv.

“Aleanca ka paralajmëruar në vazhdimësi se kjo mënyrë e papërgjegjshme e udhëheqjes do t’i kushtojë shtetit tonë”, thuhet në reagim.