
Bedrije Kurtaj, nëna e 22-vjeçares Kosovare Kurtaj, e cila vdiq në vitin 2010 në rrethana të cilësuara si aksident trafiku, vazhdon të kërkojë zbardhjen e plotë të vdekjes së të bijës. Edhe pas 16 vjetësh, ajo ngre dyshime për rrethanat e ngjarjes dhe pretendon se institucionet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë hetime të mjaftueshme.
Nëna pretendon se dyshimet e para për mënyrën se si kishte vdekur vajza i lindën pasi nuk iu lejua ta shihte trupin e saj, raporton Kiks Kosova.
Dyshimet, sipas saj, u shtuan edhe pas disa telefonatave që kishte pranuar pas vdekjes së të bijës.
Bedrije Kurtaj tregon se prej kohësh nuk ka më kontakte as me personat që mund të kenë njohuri për rastin, përfshirë dëshmitarin kryesor dhe ish-bashkëjetuesin e vajzës së saj.
Një nga shqetësimet kryesore të familjes mbetet mungesa e hetimeve që, sipas tyre, do të duhej të sqaronin rrethanat e vdekjes.
Ndërkaq, dokumentet e siguruara nga Kiks Kosova hedhin në pah disa detaje nga raportet mjeko-ligjore. Në raportin e autopsisë të datës 6 dhjetor 2010, dy ditë pas vdekjes, thuhet se Kosovare Kurtaj në momentin e vdekjes kishte qenë pa rroba.
Në bazë të fotografive dhe dokumentacionit të autopsisë, në trupin e saj ishin evidentuar lëndime të shumta, nga gërvishtjet në këmbë deri te dëmtimet në vesh. Megjithatë, përfundimi i mjekut ligjor ishte se këto lëndime ishin shkaktuar si pasojë e një aksidenti trafiku.
Pesë vjet pas varrimit, me insistimin e familjes, trupi i 22-vjeçares ishte zhvarrosur për t’iu nënshtruar një autopsie të dytë.
Në këtë raport, duke u bazuar edhe në të dhënat e raportit emergjent të QKUK-së, për Kosovaren ishte konstatuar shkalla 3 e komës sipas shkallës së Glazgout (GCS), që nënkupton mungesë të reagimit.
Në anën tjetër, për shoferin e automjetit ishin evidentuar vetëm mavijosje në kraharor, pjesën e poshtme të shpinës dhe zonën e belit, si dhe një plagë e vogël në veshin e djathtë. Shkalla e tij e Glazgout ishte 15 pikë, që tregon gjendje të plotë të vetëdijes në momentin e ekzaminimit.
Dallimi në shkallën e lëndimeve mes pasagjeres dhe shoferit ngriti pikëpyetje të tjera për rrethanat e ngjarjes, veçanërisht për mënyrën se si Kosovare Kurtaj kishte përfunduar jashtë automjetit.
Sipas një opinioni të përbashkët të pesë mjekëve ligjorë, lëndimet e saj ishin shkaktuar nga kalimi i rrotës së automjetit mbi kokën e viktimës.
Edhe avokati Ramë Dreshaj, i cili është marrë me këtë rast, pretendon se ka konsultuar privatisht disa ekspertë të huaj, të cilët, sipas tij, bazuar në provat e shqyrtuara, kanë vlerësuar se rasti nuk paraqet një aksident të zakonshëm trafiku.
Ai thotë se posedon edhe deklaratën e një dëshmitari të ngjarjes, i cili ka përfituar azil në Francë, me arsyetimin se nuk mund të jetonte në Kosovë pas asaj që kishte ndodhur.
Për gjithçka rreth këtij rasti, ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova:
Ndiqeni emisionin e plotë: