Kosovari arrestohet në Zvicër, dyshohet se ndihmonte kandidatët të kalonin provimin e patentë-shoferit me pajisje të fshehta

Kosovari arrestohet në Zvicër, dyshohet se ndihmonte kandidatët të kalonin provimin e patentë-shoferit me pajisje të fshehta

Written by

in

Policia Kantonale e Cyrihut ka arrestuar një 33-vjeçar nga Kosova, i dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi gjatë provimeve teorike për patentë-shoferë në Zvicër.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Kantonale të Cyrihut, kosovari u arrestua më 13 korrik 2023, pasi dyshohet se kishte pajisur një hetues të policisë me mjete teknologjike për ta ndihmuar gjatë provimit teorik në Zyrën e Qarkullimit Rrugor në Cyrih.

Përmes pajisjeve për transmetimin e figurës dhe zërit, hetuesi merrte përgjigjet e sakta nga një person tjetër, i cili e udhëzonte gjatë provimit.

Pas përfundimit të testit, 33-vjeçari u arrestua në momentin kur po merrte pajisjet e përdorura për mashtrimin, transmeton Telegrafi.

Në të njëjtën ditë, me urdhër të prokurorisë, policia zhvilloi kontrolle në disa lokacione, ku sekuestroi telefona mobilë, mikrofona, kamera, kufje dhe para të gatshme.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan edhe dy persona të tjerë: një shtetas zviceran 30-vjeçar dhe një shtetas kosovar 23-vjeçar, i cili qëndronte ilegalisht në Zvicër.

Sipas policisë, tre të arrestuarit dhe një shtetas 60-vjeçar serb dyshohen se, të paktën që nga vera e vitit 2022, kanë ndihmuar persona të ndryshëm që në mënyrë të kundërligjshme të kalonin provimet teorike për patentë-shoferë.

Hetimet po zhvilloheshin nga Policia Kantonale e Cyrihut dhe Prokuroria e Cyrih-Sihl, ndërsa autoritetet po shqyrtonin edhe lidhjen e mundshme me një rast të ngjashëm në Mels, në kantonin e St. Gallenit.

Policia bëri të ditur se për të gjithë të dyshuarit vlen prezumimi i pafajësisë deri në përfundimin e procedurës ligjore./Telegrafi/