Kompania kineze Honor thuhet se po teston një telefon të ri me bateri me kapacitet prej 14 mijë deri në 15 mijë mAh, i cili mund të funksionojë deri në shtatë ditë pa pasur nevojë për rimbushje.
Sipas informacioneve që vijnë nga burime të industrisë në Kinë, pajisja është ende në fazën e testimit dhe nuk dihet nëse do të prodhohet për tregun e gjerë.
Një bateri me kapacitet prej 15 mijë mAh do të ishte dukshëm më e madhe se ato që përdoren aktualisht në shumicën e telefonave inteligjentë. Për krahasim, modeli Samsung Galaxy S26 Ultra ka bateri me kapacitet prej 5000 mAh.
Megjithatë, një bateri kaq e madhe paraqet sfida për prodhuesin, veçanërisht sa i përket trashësisë dhe peshës së telefonit, si dhe menaxhimit të temperaturës.
Honor tashmë ka përvojë me pajisje që kanë bateri me kapacitet të lartë. Modeli Honor Win RT, i orientuar drejt lojërave, është pajisur me bateri prej 12.070 mAh.
Nëse projekti realizohet, telefoni i ri mund të jetë veçanërisht tërheqës për përdoruesit që udhëtojnë shpesh ose që kanë nevojë për autonomi më të gjatë të baterisë.
Megjithatë, pretendimi për shtatë ditë funksionim duhet marrë me rezervë, pasi kohëzgjatja reale do të varet nga mënyra e përdorimit të pajisjes. Deri më tani, Honor nuk ka bërë të ditur datën e mundshme të prezantimit. /Telegrafi/