Qorraj flet pas garës për Asamblenë në New York: Fituam zemrat e shqiptarëve dhe emigrantëve (VIDEO)

Qorraj flet pas garës për Asamblenë në New York: Fituam zemrat e shqiptarëve dhe emigrantëve (VIDEO)

Written by

in

Qorraj flet pas garës për Asamblenë në New York: Fituam zemrat e shqiptarëve dhe emigrantëve (VIDEO)

Shqiptaro-amerikani demokrat, Shpëtim Qorraj, që ishte kandidat për deputet në shtetin e New Yorkut, ka thënë se pavarësisht humbjes, gara e tij në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA ishte e suksesshme.

Në një lidhje direkte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Qorraj ka bërë të ditur se ka marrë 40 për qind të votave në distriktin 64 të Staten Island, i cili njihet si bastion republikan.

Ai tha se gjatë fushatës 10-11 mujore ka arritur të fitojë mbështetjen e shumë qytetarëve, veçanërisht të komunitetit shqiptar dhe emigrantëve të tjerë, njofton Klankosova.tv.

“Fitova zemrat e shumë njerëzve, sidomos të komunitetit tonë shqiptar, mirëpo edhe të emigrantëve gjithandej. Morëm vetëm 40 për qind të votave, që prapëseprapë them se ka qenë një garë shumë e suksesshme, duke marrë parasysh që kam garuar në një distrikt të njohur si republikan”, ka deklaruar Qorraj.

Duke komentuar mbështetjen e shqiptarëve për republikanët dhe presidentin Donald Trump, ai tha se kjo prirje ka ndryshuar krahasuar me dy vjet më parë.

Sipas tij, retorika dhe politikat e presidentit Trump, veçanërisht ndaj emigrantëve, kanë ndikuar në këtë ndryshim.

Qorraj ka vlerësuar se një ndër arsyet kryesore të pakënaqësisë së qytetarëve është kostoja e lartë e jetesës në SHBA.

Ai përmendi çmimet e naftës, benzinës, ushqimit dhe patundshmërive, duke thënë se këto shpenzime po e vështirësojnë jetën e qytetarëve që synojnë të jetojnë një jetë normale dhe të mirë.