
Dy shtetas afganë po përballen me 20 akuza për vepra penale seksuale, përfshirë përdhunim dhe sulm seksual ndaj një vajze 14-vjeçare me autizëm, në një tren në Britani të Madhe. Të dy të pandehurit i kanë mohuar akuzat, ndërsa gjykimi po zhvillohet në Gjykatën e Kurorës së Londrës së Brendshme.
Sipas raportimit të Daily Mail, të akuzuarit janë Barialai Rahimi, 25-vjeçar, nga Southall në Londrën perëndimore, dhe Mirebandurahman Sadat, 29-vjeçar, nga Cricklewood në veriperëndim të kryeqytetit britanik.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 5 shkurt, në një tren të kompanisë Southeastern, i cili po udhëtonte drejt Londrës.
Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, dy burrat e kishin vërejtur të miturën në një stacion hekurudhor në Kent, pasi ajo ishte larguar nga shtëpia, dhe më pas e kishin ndjekur deri në tren.
Dëshmia e 14-vjeçares: “Askush nuk na shikonte”
Gjatë seancës gjyqësore është paraqitur edhe deklarata e filmuar që vajza i kishte dhënë policisë, ku ajo ka rrëfyer se çfarë kishte ndodhur gjatë udhëtimit.
Kur oficerët e pyetën se çfarë po bënin pasagjerët e tjerë, ajo u përgjigj: “Askush nuk na shikonte. Të gjithë ishin në telefonat e tyre”.
Juria ka parë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë, në të cilat, sipas raportimit, Rahimi shihet duke e çuar 14-vjeçaren drejt tualetit të trenit.
Në dëshminë e saj, vajza ka treguar se ia kishte bërë të ditur Rahimit moshën e saj të vërtetë, por se nuk kishte ditur si të refuzonte kërkesat e tij.
“Nuk dija si të thoja jo”.
E pyetur pse kishte pranuar të ulej në prehrin e tij, ajo kishte shpjeguar frikën që kishte ndier përballë dy të rriturve.
“Ai është më i madh se unë, më i fortë dhe unë nuk mund të bëj asgjë. Unë u detyrova të beja atë që më thanë ata në mënyrë që të mos futem në një situatë të rrezikshme. Ose ata do të zemëroheshin dhe mund të bënin çfarë të donin me dhunë”.
Sipas dëshmisë së saj, kontakti i parë kishte ndodhur ende pa hipur në tren. Rahimi, i cili i ishte prezantuar me emrin “Sandin”, kishte filluar ta komplimentonte për pamjen dhe ishte përpjekur t’ia vendoste pallton, ndërsa Sadati e shikonte nga larg.
“Në fillim mendova se po sillej mirë, por pastaj vazhdoi të thoshte të njëjtën gjë. Mendova, ‘Tani po e tepron pak’”, kishte deklaruar e mitura.
Ajo pretendoi se Rahimi e kishte përqafuar dhe puthur pa pëlqimin e saj.
“Ai po qëndronte shumë afër meje dhe unë po përpiqesha t’i thoja jo. Puthja ishte e tepërt”.
Të dy të pandehurit i mohojnë akuzat
Në deklaratën e tij me shkrim, Barialai Rahimi i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se vajza i kishte thënë se ishte 17-vjeçare dhe se gjithçka kishte ndodhur me pëlqimin e saj.
“E pyeta vajzën për moshën e saj dhe ajo më tha se ishte 17 vjeçe. Ajo dukej 17 deri në 18 vjeç, kështu që e besova. Ishte ajo që mori iniciativë. Çdo gjë që ndodhi u nis dhe u shkaktua prej saj dhe ishte konsensuale”, kishte deklaruar ai.
Edhe i pandehuri tjetër, Mirebandurahman Sadat, i ka mohuar kategorikisht veprat për të cilat akuzohet.
“Edhe pse kam disa probleme me kujtesën, nuk bëra atë për të cilën akuzohem. I mohoj kategorikisht krimet”, është shprehur Sadat.
Të dy përballen me gjithsej 20 akuza, ndërsa kanë deklaruar se janë të pafajshëm. Gjyqi në Gjykatën e Kurorës së Londrës së Brendshme pritet të zgjasë rreth tri javë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali