Zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara mund të kenë pasoja shumë përtej kufijve të vendit.
Presidenti amrikan, Donald Trump ka kaluar gati dy vjet duke përmbysur dekada të politikës së jashtme amerikane, duke krijuar pasiguri si te aleatët, ashtu edhe te kundërshtarët e Uashingtonit. Tani, të dyja palët po presin të shohin se si një goditje elektorale në vend do të ndikojë në veprimet e tij në arenën ndërkombëtare.
Për Iranin, Izraelin dhe Ukrainën, rëndësia e këtyre zgjedhjeve shkon përtej çështjes se kush do ta kontrollojë Kongresin amerikan.
Rezultati mund të ndikojë nëse Trump do të ndjekë një marrëveshje me Teheranin apo do të zgjedhë përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak, sa do të dobësohet mbështetja tradicionale e Uashingtonit për Izraelin dhe sa presion do t’i bëjë Kievit që të pranojë kushte për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Demokratët do të kenë mjete të reja për të sfiduar Trumpin. Megjithatë, presidenti amerikan vazhdon të ketë liri të konsiderueshme veprimi në politikën e jashtme. Kjo i lë liderët botërorë përballë një pyetjeje: A do ta bëjë humbja më të gatshëm për kompromis apo më të vendosur për të imponuar vullnetin e tij?
Ja se si vota mund të ndikojë në çështjet më të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane.
Irani feston humbjen e republikanëve, por nuk ka garanci për paqe
Irani po feston pengesën elektorale të Trumpit në zgjedhjet e mesit të mandatit, por njëkohësisht po përgatitet për atë që mund të vijë më pas: një sulm të ri të mundshëm amerikan ose një përpjekje të re për arritjen e marrëveshjes.
Trump pranoi në një intervistë telefonike për Fox News se lufta në Iran ishte pjesërisht përgjegjëse për humbjet e republikanëve. Nënkryetari i SHBA-së, JD Vance, ishte edhe më i drejtpërdrejtë, duke shkruar në një postim të gjatë në platformën X të mërkurën se “arsyeja pse humbëm është lufta”.
Pas tetë muajsh sulmesh ndaj arterieve ekonomike të rajonit, me synimin për ta kthyer opinionin publik amerikan kundër luftës, Teherani e ka cilësuar humbjen e republikanëve si një verdikt publik ndaj konfliktit. Edhe Trump pranoi se rritja e çmimeve, e nxitur nga lufta, kishte ndikuar në rezultat.
“Nëse qeveria amerikane tradhton vullnetin e qytetarëve të saj për t’u shërbyer padronëve dhe shantazhuesve ndërkombëtarë, do ta kuptojë se JO-ja jonë vjen me një makth”, shkroi në X kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili ka udhëhequr negociatat me SHBA-në.
Në Teheran, demonstruesit marshuan drejt ish-ambasadës amerikane gjatë një tubimi që shënonte 47-vjetorin e marrjes së ambasadës dhe krizës së pengjeve të vitit 1979.
Megjithatë, Teherani nuk po mbështetet në një ndryshim të politikës së Uashingtonit. Udhëheqësi suprem, Mojtaba Khamenei, deklaroi se kushdo që beson se rezultatet e zgjedhjeve do të ndryshojnë politikën amerikane është “thellësisht i gabuar”.
Zyrtarët iranianë thonë se strategjia e vendit nuk varet nga zgjedhjet amerikane, ndërsa njëkohësisht po përgatiten për mundësinë e vazhdimit të luftës dhe po intensifikojnë përpjekjet diplomatike.
Rreziku i përshkallëzimit mbetet real. Raportimet se Trump mund të urdhërojë sulme të reja dhe më intensive po shkaktojnë shqetësim në të gjithë rajonin. Teherani ka paralajmëruar se kundërpërgjigjja e tij do të kishte përmasa shumë më të gjera sesa në përballjet e mëparshme.
Këtë javë, Trump u tha disa gazetarëve se po shqyrton mundësinë e goditjes së ashpër të Iranit, ndërsa të tjerëve u deklaroi se nuk ka plane të menjëhershme për përshkallëzim.
“Lufta në Iran është kthyer në një barrë politike për të, duke e lënë Trumpin përballë një zgjedhjeje të qartë: të arrijë një marrëveshje që i mundëson të shpallë fitore, ose të shtojë veprimet ushtarake për të rimarrë iniciativën”, tha për CNN Ali Vaez nga International Crisis Group.
“Rreziku është që një president i dobësuar në kutitë e votimit të kërkojë rikthimin e autoritetit në fushëbetejë”, shtoi ai.
Diplomacia përbën një rrugë tjetër të mundshme. Negociatat, të cilat kishin ngecur gjatë verës, janë intensifikuar gjatë javës së fundit. Teherani ka dërguar zyrtarë te ndërmjetësit nga Katari, të cilët po përcjellin propozime mes Iranit dhe Uashingtonit.
Para zgjedhjeve, Irani kishte ofruar hapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda dy ditësh, nëse Trump do të pranonte shtatë kushtet e tij.
Sanam Vakil nga Chatham House tha se udhëheqësit iranianë mund ta konsiderojnë rezultatin si një konfirmim të qëndrimit të tyre, por kjo nuk do të thotë se problemet e vendit janë zgjidhur.
Sipas saj, Trump ka nevojë për një sukses diplomatik, por mund të hezitojë të shfaqet i dobët, ndërsa Teherani mund ta interpretojë humbjen e tij si një mundësi për të kërkuar më shumë lëshime.
Ajo pret intensifikim të diplomacisë krahas kërcënimeve ushtarake, duke e konsideruar një marrëveshje të përkohshme për Ngushticën e Hormuzit më realiste sesa një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Fundi i një epoke” për marrëdhëniet SHBA-Izrael
Në Izrael, lajmi i shpallur ditën e zgjedhjeve se Trump do të ndërpriste papritur ndihmën ushtarake amerikane për vendin ishte surpriza e parë. Rezultati zgjedhor, me demokratët që fituan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit në atë që është cilësuar si një “valë blu”, është një alarm serioz për Izraelin.
Mbështetja dypartiake për Izraelin në SHBA ishte dobësuar edhe më parë. Demokratët kanë shprehur zemërim ndaj Izraelit për numrin e viktimave në luftën në Gaza, ndërsa një numër gjithnjë e më i madh republikanësh besojnë se SHBA-ja i ka ofruar këtij vendi mbështetje të tepruar.
“E vetmja çështje që aktualisht bashkon të dyja partitë është kritika ndaj Izraelit”, tha Michael Oren, ish-ambasador i Izraelit në SHBA.
“Kjo është bërë një parim organizues për Partinë Demokratike dhe po shndërrohet në një parim të tillë edhe për një pjesë të madhe të Partisë Republikane”, deklaroi ai për CNN.
Oren tha se përfundimi i ndihmës amerikane është vetëm fillimi i një procesi që sapo ka nisur të marrë formë.
Sipas tij, është e mundur që SHBA-ja të ndërpresë edhe shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Izraelin, si dhe zhvillimin e përbashkët të sistemeve të rëndësishme ushtarake, përfshirë sistemin e mbrojtjes ajrore Iron Dome.
Ai përmendi gjithashtu Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku presidentët republikanë dhe demokratë kanë mbrojtur Izraelin përmes përdorimit të vetos amerikane.
“Jemi në fundin e një epoke”, tha Oren.
Yaakov Katz, ish-kryeredaktor i gazetës Jerusalem Post, paralajmëroi se mund të ketë zhvillime të tjera.
“Ajo që Trump njoftoi dje për ndihmën ushtarake është vetëm maja e ajsbergut e ndryshimeve që mund të ndodhin. Shitjet e armëve mund të bllokohen, mund të propozohen sanksione dhe programet e përbashkëta ekonomike mund të mbeten pa financim”, shkroi ai në X.
Qëndrimet kundër Izraelit u forcuan edhe më shumë gjatë luftës me Iranin. Një pjesë e elektoratit amerikan i konsideroi sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael si një luftë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ia kishte imponuar Trumpit.
Edhe tani, Netanyahu ka bërë presion për rifillimin e sulmeve ndaj Iranit, gjë që do të mund të ndizte sërish një konflikt që kishte rritur çmimet e karburanteve dhe koston e jetesës, duke kontribuar edhe në rezultatet e dobëta të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit.
Netanyahu përballet gjithashtu me trazira në politikën e brendshme izraelite. Në zgjedhjet e mbajtura një javë para zgjedhjeve amerikane, ai humbi shumicën në parlament.
Megjithatë, rivali i tij kryesor, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, nuk ka shumicën e nevojshme dhe ka gjasa të ketë nevojë për bashkëpunim me partitë arabe, të cilat shënuan pjesëmarrje rekord në zgjedhje.
Yair Golan, lideri i partisë së majtë Demokratët, paralajmëroi se Izraeli “nuk ka kohë për të humbur” për zëvendësimin e Netanyahut dhe orientimin e vendit larg sanksioneve dhe izolimit ndërkombëtar.
Ukraina pret një botë pas Trumpit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shpreson se “vala blu” në zgjedhjet amerikane do të forcojë mbështetjen e SHBA-së për mbrojtjen e Ukrainës nga agresioni rus.
“Jam gjithashtu mirënjohës ndaj republikanëve, por demokratët flasin shumë qartë për mbështetjen e Ukrainës dhe ofrimin e ndihmës për të”, tha Zelensky në komentet e publikuara nga transmetuesi gjerman ZDF, sipas Reuters.
“Ata flasin për rivendosjen e lidhjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Prandaj, ekziston shpresa se do të krijohet një ekuilibër i forcave dhe se ne do të marrim më shumë mbështetje”, shtoi ai.
Zelensky theksoi se nëse Kongresi do të flasë tani për mbështetje të fuqishme financiare ose ndihmë ushtarake, ashtu siç po bën dhe po dëshmon Evropa, kjo do të ishte pozitive dhe do të kishte ndikim te presidenti rus Vladimir Putin.
Për javë të tëra, marrëdhëniet mes presidentit ukrainas dhe Trumpit kanë qenë në rënie të vazhdueshme.
Trump ka kërkuar zëvendësimin e Zelenskyt, ka promovuar marrëveshje energjetike që do t’i sillnin përfitime Rusisë dhe ka lejuar që varësia teknologjike dhe e inteligjencës së Ukrainës nga SHBA-ja të vihej në pikëpyetje.
Për këtë arsye, Kievi është detyruar të përgatitet që herët për një botë pas Trumpit, duke pritur me urgjencë ndryshimet e mundshme në politikën amerikane.
Kur të mërkurën filluan të bëheshin të qarta rezultatet e zgjedhjeve, në fillim pati pak komente zyrtare nga Kievi. Zelensky duket se preferoi që reagimet dhe ironitë në rrjetet sociale, ku ai paraqitej duke ndjekur rezultatet zgjedhore me një birrë dhe kokoshka, të flisnin në vend të tij.
Një zëvendës në zyrën e tij, Sergiy Kyslytsia, deklaroi në televizionin ukrainas se vendi do të vazhdojë të zhvillojë “marrëdhënie të vërteta, normale dhe të qëndrueshme” me cilindo që është në pushtet.
Ai theksoi se Ukraina do të vazhdojë të kërkojë sisteme kundërajrore Patriot dhe do të përpiqet të bashkëpunojë si me Kongresin e ri, ashtu edhe me valën e mundshme të urdhrave ekzekutivë të presidentit, të cilët mund të synojnë të anashkalojnë vendimet e Kongresit.
Megjithatë, është e qartë se dobësimi i Trumpit pas rezultateve zgjedhore dhe koha që po kalon deri në përfundimin e mandatit të tij mund të jenë në favor të Kievit.
Trump kishte pretenduar se arritja e paqes ishte e lehtë, por më pas kishte ushtruar presion ndaj Ukrainës për shkak të refuzimit të saj për të pranuar kërkesat e shtetit që e ka pushtuar.
Ai e ka poshtëruar dhe kritikuar Zelenskyn, përpara se herë pas here të përpiqej të përmirësonte marrëdhëniet me të. Kjo ka ndodhur në një kohë kur aleatët evropianë kanë shprehur shqetësim për përçarjen e aleancave të sigurisë, të ndërtuara gjatë dekadave.
Ukrainës ende i duhet shumë nga SHBA-ja: armë, para dhe garanci më të gjera se Uashingtoni qëndron në anën e saj. Por, pas muajsh tensionesh dhe armiqësie politike, Kievi ka arritur në përfundimin se nuk mund të mbështetet plotësisht te Uashingtoni.
Megjithatë, ekziston edhe një rrezik që lidhet me kalimin e kohës deri në fund të mandatit të Trumpit.
Presidenti rus Vladimir Putin mund të vlerësojë se ka rreth një vit kohë për të arritur rezultatet më të favorshme të mundshme në luftën që ka nisur kundër Ukrainës, përpara se fushata zgjedhore e vitit 2028 në SHBA të rikthejë politikën republikane drejt qëndrimeve tradicionale pro-Ukrainës.
Deri më tani, Putini ka dështuar ta shfrytëzojë aleatin e tij të dukshëm, Trumpin, për të siguruar një fitore të rëndësishme në fushëbetejë.
Por ai mund të përpiqet ta ndryshojë këtë situatë, përderisa ndikimi politik i Trumpit vazhdon të jetë nën presion. /Telegrafi/