Koreja e Jugut planifikon të zgjerojë patrullimet e saj detare nga Gjiri i Adenit drejt ujërave pranë Omanit, pas rritjes së rasteve të piraterisë në brigjet e Somalisë. Megjithatë, Seuli synon të shmangë çdo përfshirje të drejtpërdrejtë në luftën aktuale mes Iranit dhe SHBA-së.
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut bëri të ditur të enjten se po shqyrton zgjerimin e misionit të njësisë detare Cheonghae, e cila që nga viti 2009 shoqëron anijet tregtare në brigjet e Somalisë, transmeton Telegrafi.
Sipas planit të ri, kjo njësi do të kryente patrullime edhe pranë portit Duqm në Oman, i cili ndodhet rreth 650 kilometra larg Ngushticës së Hormuzit. Patrullimet do të kufizoheshin në ujërat jashtë ngushticës, ndërsa forcat do të vazhdonin të ishin nën komandën e Koresë së Jugut.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se gjatë këtij viti janë raportuar 36 incidente të piraterisë në brigjet e Somalisë, krahasuar me 11 raste gjatë gjithë vitit 2025. Sipas saj, piratët kanë filluar të veprojnë më larg brigjeve somaleze, duke u afruar edhe drejt Omanit, në një kohë kur forcat ndërkombëtare detare janë përqendruar në Detin e Kuq dhe në zonën e Ngushticës së Hormuzit.
Në kuadër të zgjerimit të misionit, Koreja e Jugut planifikon të dërgojë një aeroplan patrullimi P-8A Poseidon, një ekip për çaktivizimin e bombave dhe mjete pa ekuipazh për identifikimin dhe largimin e minave detare. Gjithashtu, numri maksimal i pjesëtarëve të angazhuar në mision do të rritet nga 320 në 395.
Mandati aktual i marinës koreano-jugore përfundon më 31 dhjetor. Zëvendësministrat e kanë mbështetur planin të enjten, ndërsa kabineti qeveritar pritet ta shqyrtojë atë javën e ardhshme.
Nëse plani miratohet nga kabineti dhe presidenti Lee Jae-myung, ai do t’i dërgohet Asamblesë Kombëtare, e cila do të votojë për zgjerimin e zonës së patrullimit dhe vazhdimin e misionit deri më 31 dhjetor 2027.
Koreja e Jugut ka interesa të rëndësishme energjetike në rajon. Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, rreth 70 për qind e naftës së importuar nga vendi gjatë vitit 2025 vinte nga Lindja e Mesme, ndërsa pjesa më e madhe e saj transportohej përmes Ngushticës së Hormuzit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar Seulin për atë që e konsideron si mbështetje të pamjaftueshme ndaj luftës kundër Iranit. Ndërkohë, presidenti koreano-jugor Lee Jae-myung kishte deklaruar në shtator se vendi i tij ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët, anijet tregtare dhe furnizimet me naftë, por kishte përjashtuar dërgimin e forcave në një mision që mund ta përfshinte Korenë e Jugut në konflikt.
Seuli ka mbështetur një plan të udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca për mbrojtjen e anijeve tregtare dhe largimin e minave detare në Ngushticën e Hormuzit, sapo kushtet e sigurisë ta lejojnë një gjë të tillë.
Ministria koreano-jugore e Mbrojtjes vlerëson se dërgimi i pajisjeve për çminimin e ujërave pranë Omanit do t’u mundësonte ekuipazheve të vendit të fitojnë përvojë të vlefshme për një mision të mundshëm në të ardhmen.
Një zyrtar i mbrojtjes së Koresë së Jugut i tha agjencisë Yonhap se Seuli ka rënë dakord të marrë pjesë në një operacion të tillë nëse i kërkohet, pasi lufta të përfundojë ose në rast se Uashingtoni dhe Teherani arrijnë një marrëveshje që garanton kushte të sigurta për operacionet.
Megjithatë, çdo vendosje e forcave koreano-jugore brenda Ngushticës së Hormuzit do të kërkonte miratimin e veçantë të parlamentit. /Telegrafi/