Russell Brand shpallet fajtor për përdhunim dhe tri raste të sulmit seksual në Britani

Russell Brand shpallet fajtor për përdhunim dhe tri raste të sulmit seksual në Britani

Written by

in

Aktori dhe komediani britanik, Russell Brand, është shpallur fajtor për një akuzë për përdhunim dhe tri akuza për sulm seksual në një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas shpalljes së vendimit të enjten, gjykatësi Bennathan deklaroi se Brand do të përballet me një dënim me burgim, duke theksuar se bëhet fjalë për një periudhë të konsiderueshme. Për këtë arsye, gjykata vendosi që ai të mbahet në paraburgim deri në seancën e caktimit të dënimit.

Seanca për caktimin e dënimit është caktuar të mbahet të hënën në Gjykatën e Southwarkut, në Londër.

Brand më herët ishte deklaruar i pafajshëm për të shtatë akuzat ndaj tij. Fillimisht, në prill të vitit 2025, ai ishte akuzuar për pesë vepra penale ndaj katër grave, përfshirë dy akuza për përdhunim, dy për sulm seksual dhe një për sulm të pahijshëm seksual. Në dhjetor të po atij viti, ndaj tij u ngritën edhe dy akuza të tjera, një për përdhunim dhe një për sulm seksual.

Hetimet ndaj aktorit nisën në shtator të vitit 2023, pasi disa gra dolën publikisht me pretendime për ngjarje që, sipas tyre, kishin ndodhur gjatë periudhës 2006–2013. Dy akuzat e reja lidhen me incidente që pretendohet se kanë ndodhur në vitin 2009.

Brand ka mohuar vazhdimisht akuzat. Në një video-mesazh të publikuar më herët, ai kishte pranuar se në të kaluarën kishte pasur probleme me varësinë nga droga dhe seksin, por kishte mohuar kategorikisht se kishte kryer përdhunim apo marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e palës tjetër.

Bashkëshortja e tij, Laura Gallacher, ishte e pranishme në gjykatë të enjten.

Burimi: Dukagjini