Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për zhvillimin dhe demokratizimin e Kosovës, si dhe e falënderoi për zgjatjen e mandatit të Swisscoy dhe rritjen e numrit të ushtarëve në kuadër të KFOR-it.
“Mbi themelet e forta të lidhjes sonë me Zvicrën, që u vunë nga mërgata dhe mikpritja zvicerane në kohëra të vështira për shqiptarët e Kosovës, po ndërtojmë e avancojmë marrëdhëniet si Republikë”, tha Kurti.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin ekonomik, proceset integruese dhe rolin e Zvicrës në to, si dhe për përfaqësimin e Kosovës në OSBE.
Ndërkaq, Cassis e ftoi Kurtin në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm. Kurti, nga ana tjetër, e ftoi atë për vizitë në Shtëpinë e Kosovës në Davos, në janar.
Burimi: RTKLive
