Demokratët do të hetojnë marrëveshjet e Trumpit, duke pasur parasysh edhe garën e 2028-ës

Demokratët do të hetojnë marrëveshjet e Trumpit, duke pasur parasysh edhe garën e 2028-ës

Written by

in

Demokratët do të hetojnë marrëveshjet e Trumpit, duke pasur parasysh edhe garën e 2028-ës

Pasi siguruan kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, demokratët do t’i përdorin kompetencat e tyre të reja hetimore për të shqyrtuar marrëveshjet e biznesit të familjes Trump, duke e bërë atë që ata e quajnë korrupsion, një element qendror të fushatës për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028.

Demokratët morën kontrollin si të Senatit, ashtu edhe të Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e ndërmjetme të së martës, në të cilat dhjetëra miliona votues shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj Presidentit Donald Trump, transmeton klankosova.tv

Ata nuk humbën kohë për t’u dërguar një paralajmërim republikanëve.

“Gjeni avokatë”, shkroi në platformën X, vonë të martën, përfaqësuesi amerikan Robert Garcia, i cili pritet të bëhet kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrje.

“Urdhra për paraqitje (subpoena)”, shkroi një orë më vonë senatori Ron Wyden, i cili pritet të drejtojë Komisionin e Senatit për Financat.

“Lironi agjendën tuaj”, tha përfaqësuesja amerikane Delia Ramirez në një postim drejtuar disa zyrtarëve të administratës Trump.

Sipas Reuters, të mërkurën, drejtuesit demokratë të komisioneve filluan të hartojnë një agjendë mbikëqyrëse që vë në shënjestër si administratën Trump, ashtu edhe korporatat e mëdha. Wyden deklaroi se planifikon të shqyrtojë me imtësi marrëveshjet midis administratës Trump dhe kompanive farmaceutike lidhur me çmimet e barnave.

Administrata Trump i ka mohuar akuzat për shkelje dhe të mërkurën reagoi ashpër ndaj hetimeve që po paralajmërohen.

“Nëse demokratët zgjedhin të ndërmarrin hetime të rreme dhe politika të së majtës radikale, ata po zgjedhin të punojnë kundër popullit amerikan”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis.

Një zyrtar tjetër i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushtet e anonimitetit, komentoi qëndrimet e demokratëve: “Duhet t’u kujtohet se ne ende e kontrollojmë qeverinë federale dhe të gjitha kompetencat e saj”, tha zyrtari.