
Eder Militao ka dhënë një deklaratë shqetësuese për gjendjen e tij fizike, pas rikthimit në fushë me Real Madridin.
Mbrojtësi brazilian pranoi se po përjeton dhimbje të forta, pavarësisht se arriti ta përfundonte të gjithë ndeshjen kundër AEK Athinës në Ligën e Kampionëve.
Militao luajti për 90 minuta në fitoren 3:2 të madrilenëve në Greqi, duke regjistruar një moment të rëndësishëm në rikthimin e tij pas gjashtë muajsh mungesë për shkak të lëndimit.
Hera e fundit që braziliani kishte luajtur një ndeshje të plotë ishte më 15 prill, kundër Bayern Munichut.
“Ndjehem mirë, por po vuaj nga dhimbje të forta. Jam i lumtur që jam rikthyer dhe që mund të bëj atë që dua më së shumti, pas gjashtë muajsh jashtë fushave. Jam gjithashtu i lumtur që arrita të luaj 90 minuta”, deklaroi Militao për televizionin e klubit, përcjell “Gazeta Express”.
Trajneri Jose Mourinho pranoi se kishte marrë një rrezik të vogël duke e aktivizuar brazilianin nga minuta e parë, pas një periudhe kaq të gjatë jashtë fushave. Megjithatë, ai u shpreh i kënaqur me paraqitjen e mbrojtësit, i cili gradualisht arriti ta gjente ritmin e ndeshjes.
Militao foli edhe për bashkëkombësin e tij Vinicius Junior, i cili po kalon një periudhë jo të mirë para portës kundërshtare.
“Ai është gjithmonë optimist. Gjërat nuk po shkojnë ashtu siç dëshiron për momentin, por nuk ndalet së punuari. Të gjithë e shohin se vazhdon të përpiqet, edhe pse për fat të keq golat nuk po vijnë”, u shpreh braziliani.
Burimi: Insajderi