Dhjetë vjet pa Astrit Deharin, Kurti: Pesë prokurorë u ndërruan, ende nuk e dimë emrin e vrasësit

Dhjetë vjet pa Astrit Deharin, Kurti: Pesë prokurorë u ndërruan, ende nuk e dimë emrin e vrasësit

Written by

in

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në dhjetëvjetorin e vdekjes së aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari, ka deklaruar se ai u vra në burgun e Prizrenit.

Në një fjalim përkujtimor, Kurti ka rikujtuar arrestimin dhe mbajtjen në paraburgim të Deharit, duke kritikuar faktin se ai ishte mbajtur për 68 ditë pa aktakuzë dhe pa u zhvilluar gjykim ndaj tij.

“Astrit Dehari ishte i burgosur pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim dhe për 68 ditë në burg nuk është marrë asnjëherë në pyetje. Megjithatë, në qelinë A3 të burgut të Prizrenit e mbytën”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se, sipas tij, ndaj Deharit ishte kryer një krim që nga dita e arrestimit deri në ditën kur ai humbi jetën, dhjetë vjet më parë.

“Mbi Astritin kryen krim që nga dita kur u arrestuan, deri në ditën kur e vranë para 10 viteve. Jemi tronditur kur e arrestuan dhe kur e mbanin ne burg pa aktakuzë”.

Kurti ka kritikuar edhe zvarritjen e hetimeve për zbardhjen e rastit, duke theksuar se edhe pas një dekade nuk dihet se kush është përgjegjës për vdekjen e aktivistit.

“Astriti në paraburgim jo vetëm moralisht dhe politikisht, por edhe ligjërisht ishte i pafajshëm. Sot, 10 vite pas vrasjes, ne ende nuk e dimë emrin e personit që e vrau, pavarësisht se janë ndryshuar pesë prokurorë”, ka thënë ai.

Kreu i Vetëvendosjes ka pretenduar gjithashtu se raportet e institucioneve mjekoligjore në Kosovë dhe në Zvicër kanë përjashtuar mundësinë që Dehari të ketë kryer vetëvrasje.

Ai ka përmendur edhe vdekjen e mëvonshme të shokut të dhomës së Deharit në burg, duke thënë se rasti i tij e ka shtuar edhe më shumë shqetësimin lidhur me rrethanat e ngjarjeve në burgun e Prizrenit./Telegrafi/