Nuk i harrojnë lehtë lëndimet dhe nuk falin shpejt – tri shenjat e horoskopit që presin gjithmonë kërkimfalje

Nuk i harrojnë lehtë lëndimet dhe nuk falin shpejt - tri shenjat e horoskopit që presin gjithmonë kërkimfalje

Written by

in

Zënkat janë pjesë e çdo marrëdhënieje, por, sipas astrologjisë, jo të gjitha shenjat e horoskopit reagojnë në të njëjtën mënyrë pas një përplasjeje.

Akrepi, Demi dhe Bricjapi konsiderohen ndër shenjat që e kanë më të vështirë të falin, pasi i mbajnë mend gjatë lëndimet, ndërsa pajtimin nuk e kërkojnë lehtë.

Edhe pse astrologjia nuk ka konfirmim shkencor, shumë njerëz vazhdojnë të interesohen për atë që yjet thuhet se zbulojnë rreth karakterit dhe marrëdhënieve të tyre.

Foto ilustruese

Një nga aspektet që ngjall kureshtje është mënyra se si secila shenjë sillet pasi qetësohen emocionet pas një debati: a e hedh shpejt pas krahëve atë që ka ndodhur apo tërhiqet dhe pret që pala tjetër të kërkojë falje?

Akrepi

Akrepi përshkruhet si një shenjë me emocione të thella dhe besnikëri të fortë.

Pikërisht për këtë arsye, sipas astrologjisë, tradhtinë apo lëndimin e përjeton si një sulm personal. Edhe nëse thotë se ka falur, ajo që ka ndodhur nuk i largohet lehtë nga mendja dhe mund t’ia kujtojë tjetrit edhe shumë kohë më vonë.

Demi

Demi njihet për durimin dhe natyrën e qetë, ndaj nuk është e lehtë ta nxjerrësh nga vetja.

Megjithatë, kur zemërohet, kokëfortësia e tij del në pah.

Rrallëherë është ai që ndërmerr hapin e parë drejt pajtimit, pasi zakonisht pret që partneri t’i tregojë se vërtet i vjen keq për atë që ka ndodhur.

Bricjapi

Bricjapi konsiderohet një shenjë racionale dhe e rezervuar, e cila nuk i shfaq lehtë emocionet.

Pas një zënke, ai ka tendencë të tërhiqet dhe të marrë kohë për t’u qetësuar.

Rikthimi i besimit nuk është i menjëhershëm, pasi fjalët nuk i mjaftojnë. Për të, partneri duhet ta dëshmojë përmes veprimeve se është i gatshëm të ndryshojë.

Cilat shenja pajtohen më shpejt?

Në anën tjetër, Peshorja, Peshqit dhe Binjakët konsiderohen ndër shenjat që e kanë më të lehtë të pajtohen pas një debati.

Peshorja nuk e duron tensionin për një kohë të gjatë dhe përpiqet sa më shpejt të rikthejë harmoninë në marrëdhënie.

Peshqit njihen për ndjeshmërinë dhe empatinë e tyre, ndaj shpesh arrijnë ta kuptojnë edhe këndvështrimin e palës tjetër.

Ndërsa Binjakët kanë tendencë të kalojnë shpejt në një temë tjetër dhe rrallë e mbajnë zemërimin për një kohë të gjatë.

Megjithatë, pavarësisht shenjës së horoskopit, marrëdhëniet e shëndetshme nuk përcaktohen nga yjet, por nga komunikimi i hapur, mirëkuptimi dhe gatishmëria e të dy partnerëve për ta dëgjuar njëri-tjetrin. /Telegrafi/