Aksion kundër bixhozit në rajonin e Prizrenit, arrestohen 22 persona

Aksion kundër bixhozit në rajonin e Prizrenit, arrestohen 22 persona

Written by

in

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar një operacion kundër bixhozit të paligjshëm në rajonin e Prizrenit, ku janë arrestuar 22 persona dhe janë kontrolluar 20 lokacione.

Sipas njoftimit të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, operacioni është zhvilluar më 4 nëntor, në orët e mbrëmjes, pas një pune të gjatë operative-hetimore, duke përfshirë edhe masa dhe veprime të veçanta hetimore.

Hetimet janë zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, me mbështetjen e stacioneve dhe njësive të tjera policore.

“Në zbatim të urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prizren është zbatuar plani operativ ‘Bixhozi’. Në kuadër të këtij plani operativ janë kontrolluar 20 lokacione (lokale afariste dhe shtëpi banimi), nën dyshimin për zhvillimin e aktiviteteve ilegale të bixhozit, përkatësisht organizimit të lojërave online të fatit”, thuhet në njoftim.

Operacioni ka përfshirë tri komuna: Prizrenin, Suharekën dhe Dragashin.

Gjatë aksionit janë sekuestruar materiale të ndryshme që mund të shërbejnë si prova për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, përfshirë rreth 10 mijë euro para të gatshme dhe pajisje elektronike.

Po ashtu, janë sekuestruar katër armë zjarri dhe municion.

“Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 22 persona. Pas intervistimit të të dyshuarve, në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorisë, 19 prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa 3 janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet më tej.

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në parandalimin e veprave penale, identifikimin dhe arrestimin e kryerësve, përfshirë veprat që lidhen me bixhozin e kundërligjshëm. 

Burimi: RTKLive