
Në pafajësinë e tyre nuk kanë dyshim, ashtu siç janë të sigurt që ju bë padrejtësi.
Ndaj të enjten kur mbushen fiks 6 vjet që kur katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare po mbahen në Hagë, nga Kuvendi i Kosovës, ndërkombëtarëve iu shkoi një selam.
Për drejtësi bëri thirrje edhe Vetëvendosje, por për aktivistin e tyre, Astrit Deharin, që po në këtë 5 nëntor u bënë 10 vjet kur vdiq.
Veprim u kërkua edhe për një rast tjetër, atë të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Akuza për pushtetin patën edhe nga Aleanca, që kritikuan punësimet familjare. Por, ky pretendim u mohua.
Në parlament erdhën uniformat e shqyera të policisë, por veç si fotografi, me të cilat u kërkua që shpejt të bëhet furnizimi me të reja.
Në këtë seancë, që vazhdoi edhe deri vonë pasdite, para vete deputetët patën edhe disa projektligje, përfshirë edhe atë për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, i cili kaloi në parim.