Turqia ka prezantuar një udhërrëfyes energjetik prej 500 miliardë dollarësh, që synon rritjen e prodhimit vendas, zgjerimin e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme dhe bërthamore, si dhe forcimin e pavarësisë energjetike deri në vitin 2040, deklaroi Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar.
Sipas këtij udhërrëfyesi, kërkesa për energji elektrike në Turqi parashikohet të rritet nga 365 teravat-orë (TWh) në vitin 2025 në 680 TWh në vitin 2040, ku automjetet elektrike do të përbëjnë 90 TWh të kërkesës së parashikuar, tha Bayraktar të enjten, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se vendi synon gjithashtu të ulë intensitetin e energjisë primare me 40 për qind midis viteve 2025 dhe 2040, përmes masave për efiçencën e energjisë, duke gjeneruar rreth 240 miliardë dollarë kursime gjatë kësaj periudhe.
Zgjerimi i kapaciteteve të energjisë elektrike dhe burimeve të rinovueshme
Siç theksohet më tej, Turqia planifikon të rrisë kapacitetin e instaluar të energjisë elektrike nga 123 gigavat (GW) në vitin 2025 në 281 GW deri në vitin 2040, gjë që kërkon investime prej 190 miliardë dollarësh, theksoi Bayraktar.
Pjesa e burimeve të rinovueshme në kapacitetin e instaluar të energjisë elektrike pritet të rritet nga 63 për qind në 77 për qind gjatë së njëjtës periudhë.
Turqia synon të rrisë kapacitetin e energjisë diellore nga 26 GW në 112 GW dhe atë të energjisë së erës nga 15 GW në 63 GW deri në vitin 2040, me një investim prej 100 miliardë dollarësh, tha Bayraktar.
Kapaciteti i kombinuar nga energjia diellore dhe ajo e erës parashikohet të arrijë në 175 GW, një rritje katërfish krahasuar me nivelet aktuale.
Krahas zgjerimit të kapaciteteve prodhuese, Turqia planifikon të investojë 116 miliardë dollarë në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, shtoi ai.
Sa i përket transmetimit, kapaciteti i transformatorëve pritet të rritet me 50%, ndërsa gjatësia e linjave me 30 për qind.
Plani parashikon gjithashtu ndërtimin e linjave të rrymës së vazhduar me tension të lartë (HVDC) me një kapacitet prej 28 GW, të cilat do të shtrihen në një gjatësi prej 10,000 kilometrash.
Në fushën e shpërndarjes së energjisë elektrike, Turqia synon të arrijë mbulim të plotë me matës inteligjentë, sisteme të kontrollit mbikëqyrës dhe mbledhjes së të dhënave (SCADA), si dhe rrjete unazore urbane.
Si pjesë e nismës së saj më të gjerë për elektrifikim, Turqia synon të ketë 20 milionë automjete elektrike dhe 1,5 milionë pika karikimi deri në vitin 2040.
Kapaciteti i energjisë bërthamore në vend pritet të arrijë në 10 GW deri në vitin 2040, përmes centraleve bërthamore Akkuyu, Sinop dhe Trakia, si dhe reaktorëve të vegjël modularë (SMR).
Objektivat për prodhimin vendas të naftës dhe gazit natyror
Turqia synon të ulë konsumin ditor të naftës nga 993.000 fuçi në vitin 2025 në 718.000 fuçi deri në vitin 2040, pjesërisht përmes elektrifikimit, tha Bayraktar.
Njëkohësisht, vendi planifikon të rrisë pjesën e konsumit të naftës që mbulohet nga prodhimi vendas, nga 15% në vitin 2025 në 100% deri në vitin 2040, duke eliminuar kështu varësinë nga nafta e importuar.
Konsumi i gazit natyror parashikohet të ulet nga 59 miliardë metra kub në vitin 2025 në 57 miliardë metra kub në vitin 2040, tha ai.
Bayraktar u shpreh se Turqia synon të arrijë vetë-mjaftueshmëri të plotë në gazin natyror deri në vitin 2040, duke rritur peshën e prodhimit vendas në konsumin total nga 15 për qind në 100 për qind.
Vendi ka vendosur një objektiv të përbashkët prodhimi prej 1,7 milionë fuçi ekuivalent nafte në ditë, për naftën dhe gazin natyror.
Kompanitë shtetërore të energjisë do të investojnë 210 miliardë dollarë
Pesë kompanitë shtetërore të energjisë në Turqi pritet të realizojnë një investim të përbashkët prej 210 miliardë dollarësh, në kuadër të këtij plani strategjik.
Në përgjithësi, vizioni “Energjia Kombëtare 2040” synon investime në vlerë prej 500 miliardë dollarësh dhe krijimin e 108.000 vendeve të drejtpërdrejta të punës, tha ai. /Telegrafi/