
Qeveria ka miratuar rregulla të reja për projektet turistike, duke krijuar kategorinë “resort miks”, ku krahas hoteleve dhe ambienteve turistike do të lejohen edhe apartamente e vila për banim.
Sipas vendimit të 5 nëntorit, të paktën 60% e sipërfaqes totale të ndërtimit duhet t’i dedikohet turizmit, ndërsa pjesa për banim nuk mund të kalojë 40%. Përqindjet do të llogariten mbi sipërfaqen e ndërtimit dhe jo mbi truallin.
Projektet e reja do të duhet të pajisen me certifikatë paraprake kategorizimi nga ministria përgjegjëse për turizmin, përpara marrjes së lejes së ndërtimit. Ky dokument do të vërtetojë përmbushjen e kritereve, por nuk zëvendëson lejen e ndërtimit.
Ndërkohë, apartamentet, vilat dhe dhomat e parashikuara për akomodim turistik do të jenë pjesë e resortit dhe do të funksionojnë nën një administrim të përbashkët. Njësitë e projektuara për banim nuk mund të përdoren automatikisht për turizëm pa miratimin e ndryshimit të destinacionit.
Rregullat e reja nuk prekin certifikatat e lëshuara më parë, ndërsa projektet që kanë marrë leje ndërtimi përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 83/2026 përjashtohen nga detyrimi për certifikatën paraprake.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
VKM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 43/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim përcakton kategoritë e strukturave akomoduese, sipas tipologjisë, funksionit, mënyrës së organizimit dhe karakteristikave të shërbimit të akomodimit, si dhe kriteret e projektimit e të ndërtimit për projektet e integruara të kategorisë. Këto kritere verifikohen edhe gjatë procedurës së kategorizimit paraprak, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin.
2. Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Certifikatë paraprake kategorizimi”, dokumenti i lëshuar nga ministria përgjegjëse për turizmin, përpara miratimit të lejes së ndërtimit për strukturën akomoduese, i cili përcakton kategorinë e propozuar dhe vërteton përputhshmërinë e projektit me kriteret e kategorisë përkatëse, pa zëvendësuar lejen e ndërtimit ose aktet e tjera të kërkuara nga legjislacioni në fuqi;
b) “Apart-hotel”, struktura akomoduese e përbërë nga apartamente të destinuara për akomodim turistik, të cilat mund të jenë në pronësi individuale dhe ofrojnë shërbime të përbashkëta në funksion të turizmit, nën të njëjtin administrim e menaxhim, me recepsion ose pritje të përbashkët;
c) “Resort miks”, zhvillimi i integruar, i paraqitur për certifikim paraprak, që përfshin një strukturë akomoduese të kategorisë “resort”, njësi me funksion rezidencial, si dhe ambiente, shërbime dhe infrastrukturë të përbashkët në funksion të zhvillimit;
ç) “Komponent turistik”, tërësia e sipërfaqeve të ndërtimit të strukturës akomoduese të kategorisë “resort” dhe e sipërfaqeve të tjera të destinuara ekskluzivisht për funksione dhe shërbime turistike;
d) “Komponent rezidencial”, tërësia e sipërfaqeve të ndërtimit të objekteve, të njësive ose të pjesëve të objekteve të destinuara për funksion rezidencial;
dh) “Sipërfaqe totale e ndërtimit”, shuma e sipërfaqeve të ndërtimit, që rezultojnë nga dokumentacioni teknik i projektit për komponentin përkatës, të llogaritura sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
e) “Pjesë e objektit”, pjesa funksionalisht e dallueshme e një objekti me përdorim të përzier, sipërfaqja e së cilës, në bazë të dokumentacionit teknik të projektit dhe përdorimit të dokumentuar, i ngarkohet komponentit turistik ose komponentit rezidencial, sipas rastit, në përputhje me dokumentacionin e miratuar sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
3. Strukturat akomoduese kategorizohen, si më poshtë vijon:
a) “Bujtinë” (shtëpi pritëse);
b) “Fjetinë” (hostel);
c) “Kamping”;
ç) “Hotel”;
d) “Motel”;
dh) “Resort”;
e) “Qendër kurative”;
ë) “Fjetje dhe mëngjes” (B&B);
f) “Apart-hotel”;
g) “Strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore”;
gj) “Resort miks”, si nënkategori e kategorisë “resort”, vetëm për qëllime të certifikimit paraprak të zhvillimit të integruar.
4. Për kategoritë e parashikuara në pikën 3 të këtij vendimi, termat e përkufizuar në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, kanë kuptimin e dhënë në këtë ligj. Për kategoritë dhe termat e përkufizuar në pikën 2 të këtij vendimi zbatohen përkufizimet e kësaj pike.
5. Apartamentet, vilat e dhomat brenda zhvillimit “resort miks” trajtohen sipas destinacionit të përcaktuar në dokumentacionin e miratuar të projektit. Kur janë të destinuara për akomodim turistik, ato përfshihen në komponentin turistik dhe në strukturën e kategorisë “resort”, nën administrimin e përbashkët të saj, pa u kategorizuar veçmas. Kur janë të destinuara për funksion rezidencial, për ndryshimin e destinacionit ose përdorimit të tyre, zbatohen pikat 17 e 18 të këtij vendimi.
6. Në projektet e reja, apartamentet, vilat e dhomat, që parashikohen për akomodim turistik, nuk kategorizohen si struktura të veçanta. Ato përfshihen në komponentin turistik të një strukture të kategorisë “resort”, përfshirë zhvillimin “resort miks”, dhe mbulohen nga certifikata e saj. Njësitë e projektuara si banesa, jashtë një strukture të tillë, nuk mund të ofrohen si akomodim turistik pa u përfshirë në një projekt që plotëson kërkesat e kategorisë “resort”, sipas legjislacionit në fuqi.
7. Hoteli i shpërndarë mund të organizohet brenda kategorisë “resort”, përfshirë komponentin turistik të zhvillimit “resort miks”, kur plotëson njëkohësisht përkufizimin e hotelit të shpërndarë dhe përkufizimin e resortit, sipas pikave 61 e 28, të nenit 4, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar. Njësitë e tij ndodhen në ndërtesa ekzistuese, afër njëra-tjetrës, nën menaxhimin e të njëjtit sipërmarrës turistik, dhe përfshihen në organizimin e administrimin e përbashkët të resortit. Kategorizimi kryhet për resortin në tërësi. Emërtimi “hotel i shpërndarë” nuk zëvendëson plotësimin e kërkesave të kategorisë “resort”. Për strukturat e certifikuara më parë zbatohen përcaktimet e pikës 21 të këtij vendimi.
8. Çdo subjekt zhvillues, përpara miratimit të lejes së ndërtimit për strukturë akomoduese nga organi përgjegjës, pajiset me certifikatë paraprake kategorizimi, në përputhje me pikën 1/1, të nenit 43/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar. Kushtet, kriteret, afatet e procedura e kategorizimit, përfshirë kategorizimin paraprak, përcaktohen në rregulloren e miratuar nga ministri përgjegjës për turizmin, sipas pikës 6, të nenit 43/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
9. Për projektin e kategorisë “resort miks”, komponenti turistik dhe komponenti rezidencial përcaktohen, identifikohen e paraqiten në mënyrë të dallueshme në dokumentacionin e projektit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
10. Në zhvillimin e kategorisë “resort miks”, sipërfaqja totale e ndërtimit e komponentit turistik duhet të jetë jo më e vogël se 60 (gjashtëdhjetë) për qind e shumës së sipërfaqeve totale të ndërtimit të komponentit turistik dhe të komponentit rezidencial. Sipërfaqja totale e ndërtimit e komponentit rezidencial nuk duhet të jetë më e madhe se 40 (dyzet) për qind e kësaj shume.
11. Për llogaritjen e raportit të përcaktuar në pikën 10 të këtij vendimi:
a) në komponentin turistik përfshihen sipërfaqet totale të ndërtimit të strukturës akomoduese të kategorisë “resort” dhe sipërfaqet e tjera të destinuara ekskluzivisht për funksione dhe shërbime turistike;
b) në komponentin rezidencial përfshihen sipërfaqet totale të ndërtimit të objekteve, të njësive ose të pjesëve të objekteve të destinuara për funksion rezidencial;
c) sipërfaqet e ambienteve, shërbimeve dhe infrastrukturës së përbashkët, që u shërbejnë njëkohësisht komponentit turistik dhe komponentit rezidencial dhe nuk mund të ndahen objektivisht sipas përdorimit, u shpërndahen të dy komponentëve në përpjesëtim me sipërfaqet e identifikuara drejtpërdrejt për secilin komponent;
ç) sipërfaqet që, pavarësisht emërtimit në projekt, i shërbejnë kryesisht njërit komponent ose përdorimi i të cilave mund të ndahet në mënyrë objektive, i ngarkohen komponentit përkatës ose ndahen ndërmjet komponentëve në përpjesëtim me përdorimin e dokumentuar. Asnjë sipërfaqe ndërtimi e zhvillimit nuk përjashtohet nga llogaritja e raportit.
12. Dokumentacioni i projektit “resort miks” përmban tabelën e sipërfaqeve për çdo objekt, kat e funksion, identifikimin e sipërfaqeve të komponentit turistik, të komponentit rezidencial dhe të sipërfaqeve të përbashkëta, mënyrën e shpërndarjes së këtyre të fundit, si dhe përllogaritjen e raportit, sipas pikave 10 e 11 të këtij vendimi. Tabela dhe përllogaritja nënshkruhen nga projektuesi përgjegjës dhe nga subjekti zhvillues.
13. Raporti i përcaktuar në pikën 10 të këtij vendimi llogaritet vetëm mbi sipërfaqen totale të ndërtimit.
14. Përcaktimet e pikave 9 – 13 të këtij vendimi zbatohen pa cenuar përdorimin e lejuar të tokës, intensitetin e ndërtimit, koeficientin e shfrytëzimit të tokës për ndërtim, lartësinë, distancat dhe treguesit e tjerë të zhvillimit, të përcaktuar në dokumentet e planifikimit apo në rregulloret e veçanta të miratuara nga KKTU-ja.
15. Certifikata paraprake e kategorizimit vlerëson përputhshmërinë e projektit me kategorinë turistike të propozuar. Ajo nuk krijon të drejtë ndërtimi, nuk zëvendëson lejen e ndërtimit dhe nuk kufizon kompetencat e autoritetit përgjegjës për zhvillimin e territorit.
16. Çdo ndryshim i projektit, i aplikuar pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përpara ose gjatë ndërtimit të strukturës, që prek kategorinë e propozuar, ndarjen funksionale të komponentëve ose raportin e përcaktuar në pikën 10 të këtij vendimi, u nënshtrohet paraprakisht ndryshimit të certifikatës paraprake të kategorizimit dhe, sipas rastit, procedurave për ndryshimin e lejes së ndërtimit, sipas legjislacionit në fuqi.
17. Pas përfundimit të ndërtimit të zhvillimit “resort miks”, procedurës së kategorizimit dhe të klasifikimit si strukturë akomoduese i nënshtrohet vetëm komponenti turistik i kategorisë “resort”, duke përfshirë apartamentet, vilat dhe dhomat e destinuara për akomodim turistik, si dhe hotelin e shpërndarë, të organizuar sipas pikës 7 të këtij vendimi. Njësitë e komponentit rezidencial nuk kategorizohen e nuk klasifikohen si pjesë e strukturës akomoduese, përveçse kur përdoren për akomodim turistik dhe plotësojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi për turizmin.
18. Ndryshimi i destinacionit ose i përdorimit të njësive të komponentit rezidencial për qëllime akomodimi turistik kryhet vetëm pas përmbushjes së kërkesave të legjislacionit për turizmin dhe të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Pas miratimit të ndryshimit, njësitë përfshihen në komponentin turistik dhe në administrimin e strukturës së kategorisë “resort”, pa u kategorizuar veçmas si “akomodim turistik në banesa”, dhe ndryshimi reflektohet në dokumentacionin e projektit dhe në përllogaritjen e raportit sipas pikave 10 e 11 të këtij vendimi.
19. Për strukturat akomoduese, për të cilat është lëshuar dokumenti i lejes së ndërtimit nga autoriteti kompetent përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.83/2026, nuk kërkohet certifikatë paraprake kategorizimi. Këto struktura u nënshtrohen kategorizimit dhe, kur zbatohet, klasifikimit, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë.
20. Strukturat akomoduese, për të cilat nuk është lëshuar ende dokumenti i lejes së ndërtimit nga autoriteti përgjegjës përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.83/2026, i nënshtrohen kategorizimit për marrjen e certifikatës paraprake.
21. Certifikatat e kategorizimit të lëshuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përfshirë certifikatat për kategoritë “apartament”, “vilë”, “dhomë”, “bllok apartamentesh” dhe “hotel i shpërndarë” ruajnë vlefshmërinë e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për turizmin. Njësitë e akomodimit turistik të pajisura me këto certifikata vijojnë ushtrimin e veprimtarisë sipas kategorisë së certifikuar, duke përmbushur detyrimet e parashikuara në legjislacionin në fuqi për ushtrimin e veprimtarisë së akomodimit turistik.
22. Kërkesat e reja për kategorizim shqyrtohen sipas kategorive të përcaktuara në këtë vendim. Kur projekti parashikon apartamente, vila, dhoma ose bllok apartamentesh për akomodim turistik, ato identifikohen në komponentin turistik të strukturës së kategorisë “resort”, përfshirë “resort miks”, dhe nuk kategorizohen veçmas. Kushtet, kriteret, afatet e procedurat e kategorizimit përcaktohen në rregulloren e miratuar nga ministri përgjegjës për turizmin, në zbatim të pikës 6, të nenit 43/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
23. Ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali