Zgjedhjet në SHBA shtojnë shpresat e shteteve të Gjirit për shmangien e përshkallëzimit të luftës me Iranin

Zgjedhjet në SHBA shtojnë shpresat e shteteve të Gjirit për shmangien e përshkallëzimit të luftës me Iranin

Written by

in

Rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, të cilat treguan pakënaqësinë e votuesve ndaj luftës së presidentit Donald Trump me Iranin, kanë shtuar shpresat te shtetet e Gjirit Persik se konflikti mund të mos përshkallëzohet më tej.

Megjithatë, sipas një analize të publikuar nga “Deutsche Welle” (DW), rreziku i një përballjeje të re ushtarake mbetet i pranishëm, ndërsa shtetet e rajonit vazhdojnë të jenë të ekspozuara ndaj sulmeve dhe pasojave të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Pas humbjes së thellë të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, Trump ka pranuar se lufta me Iranin mund të ketë ndikuar në rezultatin zgjedhor. Në një intervistë për “Fox News”, ai ka thënë se një pjesë e votuesve mund të kenë qenë të pakënaqur me ndikimin e konfliktit në çmimet e karburanteve.

Sipas DW-së, vëmendja tashmë është përqendruar te mundësia që administrata amerikane të ndërmarrë sulme të reja ndaj Iranit. Në fund të tetorit, “Wall Street Journal” kishte raportuar se administrata Trump po paralajmëronte qeveritë e shteteve të Gjirit që të përgatiteshin për një fushatë të shkurtër dhe intensive ushtarake pas zgjedhjeve të mesmandatit.

Edhe pse demokratët kanë fituar kontrollin e Kongresit, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se Trump do të kufizohet menjëherë në politikën e jashtme. Përfaqësuesit e rinj demokratë do të marrin detyrën vetëm në fillim të vitit të ardhshëm.

Analistët kanë paralajmëruar se presidentët amerikanë që humbin kontrollin e Kongresit dhe nuk mund të kandidojnë më për një mandat tjetër, mund të përqendrohen më shumë në politikën e jashtme për të lënë një trashëgimi politike. Sipas dy profesorëve të shkencave politike, të cituar nga revista “Foreign Affairs”, Trump mund ta shohë Iranin si një prej hapësirave ku mund të ndërmarrë veprime të tilla.

Nga ana tjetër, Trump ka deklaruar për disa media se nuk është me nxitim për të nisur sërish bombardimet ndaj Iranit.

Qëndrimet e ndara për hapat e ardhshëm të Iranit

Edhe për qëndrimin e ardhshëm të Teheranit ka vlerësime të ndryshme. Disa ekspertë besojnë se Irani mund të jetë përmbajtur nga lëshimet ndaj Trumpit para zgjedhjeve, me qëllim që ta mbante atë nën presion politik. Tash, pas përfundimit të zgjedhjeve, mundësia për negociata mund të jetë më e madhe.

Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë deklaruar se vendi është i përgatitur për çdo sulm të ri. Ekspertët paralajmërojnë se, në rast të një përshkallëzimi, Irani mund të zgjerojë objektivat e tij në rajon, duke përfshirë infrastrukturën energjetike dhe ekonomike, kabllot nëndetëse të telekomunikacionit dhe qendrat e të dhënave.

Ross Harrison, ekspert për Iranin dhe bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, ka paralajmëruar se nëse Teherani e sheh udhëheqjen e tij përballë një kërcënimi ekzistencial, atëherë mund të ndryshojë mënyrën e kundërpërgjigjes dhe të godasë objektiva të tjera në shtetet e Gjirit.

Shtetet e Gjirit, të përfshira në një luftë që nuk e dëshironin

Shtetet e Gjirit janë gjendur në një pozitë të vështirë, pasi kanë qenë ndër objektivat kryesore të sulmeve iraniane që nga fillimi i konfliktit.

Këshilltari për politikë të jashtme i udhëheqjes së Emirateve të Bashkuara Arabe, Anwar Gargash, ka thënë në konferencën e sigurisë “Manama Dialogue” në Bahrein se vendet e rajonit janë përfshirë në një krizë të cilën janë përpjekur ta parandalojnë përmes diplomacisë.

“Ne po kërkojmë qartazi një rrugëdalje politike”, ka deklaruar ai.

Katari është përpjekur të ndërmjetësojë mes SHBA-së dhe Iranit, por njëkohësisht ka zhvilluar ushtrime emergjente në aeroportin e tij. Ushtrime të ngjashme kanë zhvilluar edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, Arabia Saudite përballet me rrezikun e një konflikti në dy fronte, pasi është sulmuar edhe nga rebelët Huthi në Jemenin fqinj. Edhe Egjipti raportohet se ka përforcuar mbrojtjen ajrore rreth Kanalit të Suezit.

Sipas DW-së, lufta ka bërë që shtetet e Gjirit të rishqyrtojnë marrëdhëniet e tyre të sigurisë me SHBA-në. Bazat ushtarake amerikane, të cilat duhej të shërbenin si garanci sigurie, janë shndërruar njëkohësisht në objektiva të mundshme të sulmeve iraniane.

Hasan Alhasan, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), ka thënë se në rajon ekziston zhgënjim i madh ndaj SHBA-së për mënyrën se si e ka zhvilluar luftën dhe për atë që ai e konsideron si përparësi të mbrojtjes së Izraelit ndaj partnerëve të saj në Gjirin Persik.

Shtetet e Gjirit kërkojnë më shumë pavarësi nga SHBA-ja

Pasojat e luftës kanë nxitur disa shtete të Gjirit të zgjerojnë marrëdhëniet e tyre strategjike me vende të tjera. Emiratet e Bashkuara Arabe po afrohen më shumë me Izraelin, ndërsa Arabia Saudite është pjesë e një pakti të mbrojtjes me Pakistanin dhe Turqinë.

Andreas Krieg, ligjërues i lartë në Shkollën e Studimeve të Sigurisë në King’s College London, vlerëson se shtetet e Gjirit tashmë kanë nisur të orientohen drejt autonomisë strategjike dhe mbështetjes më të madhe në kapacitetet e tyre.

Ai argumenton se këto shtete duhet të ushtrojnë presion ndaj SHBA-së që të mos sulmojë Iranin dhe më pas të kërkojnë një marrëveshje mossulmimi me Teheranin, pa ndërmjetësimin amerikan.

Megjithatë, Ryan Crocker, ish-ambasador amerikan në rajon, vlerëson se bashkëpunimi i mirëfilltë mes shteteve të Gjirit mbetet i vështirë për shkak të dallimeve të tyre politike dhe strategjike.

Sipas tij, Katari vazhdon të ketë mosbesim ndaj disa shteteve të tjera të Gjirit, ndërsa Arabia Saudite dhe Emiratet kanë dallime të njohura për çështje si Sudani, Jemeni dhe marrëdhëniet me Izraelin.

Për ekspertin Ross Harrison, në planin afatgjatë, shtetet e Gjirit mund të detyrohen të arrijnë një mirëkuptim me Iranin, pasi sigurinë e tyre nuk mund ta mbështesin vetëm te Uashingtoni.

Ai ka theksuar se gjeografia e bën të pashmangshme një formë të marrëdhënies mes vendeve të Gjirit dhe Teheranit.

Sipas DW-së, shqetësimi kryesor i udhëheqësve të rajonit është që konflikti të mos përshkallëzohet sërish deri në atë pikë sa të humbasë mundësia për rikthimin e diplomacisë.

Burimi: Dukagjini