Fëmijët shqiptarë në Gjermani do të organizojnë një shfaqje teatrale me rastin e Ditës së Alfabetit Shqiptar. Shfaqja me titull “Pse u zemëruan shkronjat?” do të mbahet më 21 nëntor 2026, në Kleinmachnow, afër Berlinit.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani, përmes një njoftimi ku bëhet e ditur se aktiviteti synon të sjellë në skenë gjuhën dhe kulturën shqiptare përmes një historie kushtuar shkronjave të alfabetit shqip, shkruan Telegrafi.
Në shfaqje, fëmijët do të interpretojnë një histori ku shkronjat marrin jetë, flasin dhe luajnë, duke përcjellë rëndësinë e gjuhës shqipe dhe ruajtjes së saj ndër breza.
Aktiviteti do të mbahet në orën 15:30, në adresën Karl-Marx-Straße 18, 14532 Kleinmachnow.
Shfaqja organizohet nga Besarta Kids Academy, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Berlin, Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin dhe Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Në njoftimin e publikuar, organizatorët theksojnë rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.
“Sepse gjuha shqipe jeton përmes brezave dhe shkronjat tona janë rrënjët që na mbajnë të bashkuar”, thuhet në ftesën e publikuar nga Ambasada e Kosovës në Gjermani.
Përmes kësaj veprimtarie, fëmijët shqiptarë do të shënojnë Ditën e Alfabetit Shqiptar përmes artit dhe interpretimit teatror./Telegrafi/