
Një kartolinë, një kartelë mbushëse e VALA-s dhe një zarf që përfundoi në duart e hetuesve të antidrogës.
Ajo që dukej si korrespondencë e zakonshme mes një të burgosuri në Dubravë dhe një të burgosure në Lipjan, ka ngritur dyshime për një mënyrë të pazakontë të bartjes së substancave narkotike.
Madje, pas rastit të parë, autoritetet kanë evidentuar edhe dy raste të tjera të ngjashme. Gazeta Sinjali zbulon identitetin e të burgosurit të përfshirë në këtë hetim.
Bëhet fjalë për Fiton Spahiun, i burgosur në Qendrën Korrektuese të Dubravës, në Istog. Sipas informacioneve që ka siguruar Gazeta Sinjali, rasti është evidentuar më 31 korrik 2026, gjatë kontrollit të korrespondencës ndërmjet personave të burgosur.
Zyrtarët korrektues kishin marrë vendim të hapnin një zarf që lidhej me komunikimin e Spahiut me një të burgosur në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan. Brenda zarfit nuk u gjetën vetëm letra. Një kartolinë e shkruar dhe një kartelë mbushëse e VALA-s ngritën dyshime se materiali mund të ishte spërkatur me substanca narkotike.
Zarfi u konfiskua për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa dyshimet nuk mbetën të kufizuara në këtë rast.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se zyrtarët korrektues kanë evidentuar edhe dy raste të tjera, të cilat është vendosur të trajtohen përmes veprimeve përkatëse hetimore. Kjo ka ngritur pyetje nëse korrespondenca mes të burgosurve mund të jetë shfrytëzuar për bartjen e substancave të ndaluara.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar përmes ekzaminimit se zarfi përmbante narkotikë, ndërsa as përgjegjësia individuale e personave të përfshirë nuk është përcaktuar.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar inicimin e procedurës për posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge. Hetimet po vazhdojnë nga njësia e antidrogës në Pejë.
Përmbajtja e zarfit, rezultatet e ekzaminimit dhe lidhja eventuale me dy rastet e tjera pritet të jenë vendimtare për zbardhjen e dyshimeve.
I dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë.
Burimi: Sinjali