“Mbrojtja e re” e Hansi Flickut përballë një testi të vështirë ndaj Atleticos

“Mbrojtja e re” e Hansi Flickut përballë një testi të vështirë ndaj Atleticos

Written by

in

“Mbrojtja e re” e Hansi Flickut përballë një testi të vështirë ndaj Atleticos

Barcelona është gati të përballet me rivalin e saj Atletico Madrid, në kuadër të javës së 12-të të sezonit 2026/27 në La Liga, të dielën mbrëma në stadiumin “Riyadh Air Metropolitano”.

Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme në garën për titullin kampion, duke marrë parasysh se Atletico Madrid ndodhet vetëm dy pikë prapa liderit Barcelona dhe me një fitore mund ta rrëzojë atë nga kreu i tabelës.

Për këtë arsye, Barcelona e di se nuk mund të gabojë nesër në “Metropolitano”, ndërsa njëkohësisht synon të hakmerret ndaj “Los Colchoneros” për eliminimet e dhimbshme të sezonit të kaluar në Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve.

Teksa Barcelona përgatitet për përballjen me skuadrën e Diego Simeones, vëmendja kryesore do të jetë te linja e re mbrojtëse që pritet të aktivizojë Hansi Flick.

Në fakt, sipas mediumit “AS”, trajneri i Barcelonës duket se do ta përsërisë formacionin mbrojtës të përbërë nga Brian Farinas, Pau Cubarsi, Gerard Martin dhe Joao Cancelo, të cilët pritet të përballen me një test shumë të vështirë nesër.

Lëndimet e disa lojtarëve kryesorë në repartin defensiv e kanë detyruar trajnerin gjerman të eksperimentojë me linjën e mbrojtjes në dy ndeshjet e fundit kundër Alaves dhe Aston Villas.

Farinas, i cili pozicion natyral ka mesfushën qendrore, i ka nisur të dyja ndeshjet si mbrojtës i djathtë, ndërsa Joao Cancelo ka luajtur në krahun e majtë. Ndërkohë, Pau Cubarsi në njërën ndeshje ka pasur për partner Frenkie de Jongun, kurse në tjetrën Gerard Martinin.

Jules Kounde vazhdon të jetë i padisponueshëm për udhëtimin në Madrid dhe, ndonëse Eric Garcia dhe Andreas Christensen janë rikuperuar, ata nuk pritet ta nisin ndeshjen nga minuta e parë. Kështu, Flick do të detyrohet t’i besojë sërish linjës së improvizuar të mbrojtjes.

Megjithatë, mbrojtja e improvizuar e Barcelonës do të përballet me një provë të vërtetë zjarri kundër një sulmi të Atletico Madridit, që di shumë mirë t’i shfrytëzojë hapësirat prapa mbrojtjes kundërshtare.

Me Flickun që nuk pritet të ndryshojë filozofinë e tij të lojës, Barcelona do të synojë të mbajë vijën e lartë të mbrojtjes, të bëjë presion agresiv dhe ta vendosë ekipin në gjysmën e kundërshtarit.

Por, Atletico e shfrytëzoi në mënyrë të shkëlqyer këtë taktikë sezonin e kaluar dhe e ndëshkoi Barcelonën si në Kupën e Mbretit, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

“Los Colchoneros” kanë shënuar 22 gola në La Liga këtë sezon, dukshëm më pak se Barcelona, e cila ka realizuar 46. Megjithatë, Simeone ka në dispozicion disa futbollistë ofensivë që mund të shkaktojnë probleme serioze.

Alex Baena, Giuliano Simeone dhe Ademola Lookman janë alternativa në krahë, ndërsa Julian Alvarez, Alexander Sorloth dhe Jonathan David ofrojnë rreziqe të ndryshme në qendër të sulmit.

Përveç tyre, Atletico Madrid ka edhe mbrojtës të krahut me prirje të theksuara sulmuese, si Marcos Llorente dhe Alejandro Grimaldo./GazetaExpress/

Burimi: Insajderi