
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se diskutimet dhe puna e Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurën e apelimit të vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të mbeten konfidenciale.
Pas takimit të mbajtur të shtunën në objektin e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, Çitaku deklaroi se anëtarët e grupit janë pajtuar që përmbajtja e diskutimeve dhe marrëveshjet e arritura të mos bëhen publike.
“Jemi dakorduar për konfidencialitet. Këtij grupi duhet t’i flasë puna e jo deklaratat”, u shpreh ajo para gazetarëve.
E pyetur nëse gjatë takimit janë marrë vendime konkrete, Çitaku nuk dha detaje, por konfirmoi se ka pasur “disa” vendime.
Në krye të këtij mekanizmi është caktuar zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Në grup bëjnë pjesë përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Zyra e Presidentes, Kryesia e Kuvendit dhe të gjitha grupet parlamentare, përfshirë ato të komuniteteve joshumicë.
Grupi ka mandat gjashtëmujor, me mundësi vazhdimi, ndërsa brenda 30 ditëve të para duhet të hartojë propozimin e Strategjisë Shtetërore dhe Planin e Veprimit.
Ndryshe, katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan më 16 shtator me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Burimi: Sinjali