
Polonia ka shpallur dy ditë zie kombëtare pas sulmit të përgjakshëm në qytetin e Krakovës, ku gjashtë persona u vranë dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur.
Vendimi u bë i ditur nga kryeministri polak, Donald Tusk, gjatë një konference për media në Krakovë. Ai njoftoi se e diela, 8 nëntor, dhe e hëna, 9 nëntor, do të jenë ditë zie në të gjithë vendin.
Sulmi ndodhi të shtunën, rreth orës 15:00, në afërsi të Sheshit Kryesor (Rynek Główny), në qendrën historike të Krakovës.
Sipas informacioneve të autoriteteve, i dyshuari hyri me veturë në zonën e sheshit dhe hapi zjarr ndaj kalimtarëve të rastësishëm. Si pasojë, gjashtë persona humbën jetën, ndërsa 16 të tjerë u plagosën, përfshirë dy policë.
Në mesin e të plagosurve janë edhe pesë shtetas të huaj, ndërsa në mesin e viktimave raportohet të jetë një shtetas britanik.
Policia ndërhyri ndaj sulmuesit, duke e qëlluar dhe më pas arrestuar. Ai u dërgua në spital për trajtim mjekësor.
Autoritetet kanë bërë të ditur se i dyshuari është shtetas polak, rreth 25 vjeç. Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, deklaroi se hetimet paraprake kanë evidentuar shenja të ndikimit nga ideologjia e ekstremit të djathtë dhe pikëpamje ultranacionaliste. Megjithatë, motivi i saktë i sulmit ende nuk është përcaktuar.
Ndërkohë, gjatë konferencës për media, kryeministri Tusk zbuloi edhe një zhvillim tjetër tronditës. Në banesën e të dyshuarit, në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, janë gjetur të vdekur tre persona, dy gra dhe një burrë, që dyshohet se janë familjarë të tij.
Autoritetet po hetojnë nëse vdekjet e tyre kanë ndonjë lidhje me sulmin e rëndë në Krakovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali