
Një sulm i rëndë me armë zjarri ka tronditur qytetin e Krakovit në Poloni, ku gjashtë persona kanë mbetur të vrarë dhe 16 të tjerë janë plagosur, pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj qytetarëve në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit
Ngjarja ka ndodhur të shtunën pasdite, pak para orës 15:00, në Sheshin Kryesor të Tregut (Main Market Square), një prej atraksioneve më të njohura turistike të Krakovit.
Sipas policisë, sulmuesi hyri me automjet në shesh dhe qëlloi në mënyrë të rastësishme ndaj njerëzve që ndodheshin aty. Sulmi zgjati rreth tri minuta, ndërsa plumbat goditën edhe vitrinat e dyqaneve dhe një tramvaj.
Viktimat janë katër gra dhe dy burra. Tre prej tyre ishin shtetas polakë, një britanik, ndërsa identiteti i dy të tjerëve ende nuk është përcaktuar.
Në mesin e 16 të plagosurve janë edhe pesë shtetas të huaj nga Austria, Gjermania, Portugalia, Rusia dhe Britania e Madhe. Dy policë janë gjithashtu në mesin e të plagosurve, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike.
I dyshuari është një 25-vjeçar polak, i cili, sipas autoriteteve, dyshohet se ishte i frymëzuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë. Ai ishte i pajisur me armë dhe veshje të stilit ushtarak, ndërsa një ministër e ka cilësuar si ultranacionalist.
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka deklaruar se ekzistojnë indikacione të forta se viktimat e gjetura në banesë janë anëtarë të familjes së ngushtë të të dyshuarit.
“Deri më tani, në Poloni nuk kemi pasur raste kaq drastike të terrorizmit. Këtë sulm mizor ndaj jetës së njerëzve në Krakov duhet ta quajmë ashtu siç është”, ka deklaruar Tusk.
Pas sulmit, në Krakov është vendosur një prani e madhe e forcave të armatosura të policisë, ndërsa masat e sigurisë janë shtuar edhe në kryeqytetin Varshavë dhe në qytete të tjera të vendit.
Autoritetet kanë shpallur periudhë zie në Krakov deri më 11 nëntor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali