
Një avion ushtarak amerikan ka goditur një anije mallrash në Gjirin e Omanit, pasi ajo dyshohet se kishte shkelur bllokadën detare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj porteve iraniane.
Ngjarja ndodhi të shtunën, më 7 nëntor, kur forcat amerikane shënjestruan anijen M/V Huda, e cila lundronte nën flamurin e Shën Kitsit dhe Nevisit.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), avioni amerikan përdori municione precize për të goditur pjesën e pasme të anijes, me qëllim që ta ndalonte atë dhe t’ia pamundësonte vazhdimin e lundrimit.
Autoritetet amerikane pretendojnë se anija ishte afruar pranë një porti iranian dhe po përpiqej të largohej nga zona, në kundërshtim me bllokadën detare. Sipas CENTCOM-it, ekuipazhi kishte injoruar disa paralajmërime të përsëritura dhe kishte tentuar disa herë të shkelte kufizimet e vendosura.
Para ndërhyrjes, forcat amerikane kishin urdhëruar anëtarët e ekuipazhit të largoheshin nga zonat që do të goditeshin. Megjithatë, në deklaratën e publikuar nuk u dhanë detaje nëse kishte të plagosur apo sa ishte dëmi i shkaktuar në anije.
CENTCOM bëri të ditur se 147 anije tregtare u janë bindur urdhrave amerikanë dhe kanë ndryshuar kursin, ndërsa pesë të tjera janë ndaluar pasi kanë refuzuar të zbatojnë udhëzimet.
Komanda amerikane deklaroi gjithashtu se më herët kishte shkatërruar dhjetë cisterna iraniane, të cilat i lidh me një rrjet të Gardës Revolucionare të Iranit.
Goditja ndaj anijes M/V Huda është sulmi i parë i njoftuar nga SHBA-ja ndaj një anijeje mallrash në këtë zonë pas gati një muaji. Më 10 tetor, forcat amerikane goditën cisternën Ocean Molica në Gjirin e Omanit, për të cilën Uashingtoni pretendonte se po lundronte gjithashtu nga një port iranian.
Ndërkohë, sipas vlerësimit të CENTCOM-it, bllokada detare ka penguar eksportet iraniane të naftës bruto me vlerë mbi 25 miliardë dollarë. Ky pretendim i autoriteteve amerikane nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali