Katër shoferë kapen duke vozitur në gjendje të dehur në Ferizaj, gjobiten deri në 400 euro

Katër shoferë kapen duke vozitur në gjendje të dehur në Ferizaj, gjobiten deri në 400 euro

Written by

in

Policia e Kosovës ka ndëshkuar katër shoferë në Ferizaj, të cilët janë kapur duke drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, rastet kanë ndodhur në rrugët “Brahim Ademi” dhe “Remzi Hoxha”, ku zyrtarët policorë kanë ndaluar katër drejtues automjetesh dhe i kanë testuar me alkooltest.

Nga rezultatet e testimit, shoferët kanë rezultuar me nivele të ndryshme të alkoolit në gjak.

Njëri nga shoferët, A.L., 54 vjeç, ka rezultuar me 1.73 promilë alkool në gjak. Ai është dënuar me 400 euro gjobë, tri pikë negative dhe nëntë muaj ndalim të drejtimit të automjetit.

Ndërkaq, J.M., 49 vjeç, ka rezultuar me 1.44 promilë alkool dhe është dënuar me 300 euro gjobë, dy pikë negative dhe gjashtë muaj ndalim të drejtimit të automjetit.

Edhe shoferi SH.SH., 25 vjeç, ka rezultuar me 1.19 promilë alkool në gjak. Atij i janë shqiptuar 300 euro gjobë, dy pikë negative dhe gjashtë muaj ndalim i drejtimit të automjetit.

Kurse shoferi L.A., 56 vjeç, ka rezultuar me 0.63 promilë alkool dhe është dënuar me 200 euro gjobë, dy pikë negative dhe tre muaj ndalim të drejtimit të automjetit.

Në fund, Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të mos drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit, pasi një veprim i tillë rrezikon drejtpërdrejt jetën e tyre dhe sigurinë e qytetarëve të tjerë. /Telegrafi/