Nisin tensionet te Real Madridi, Vinicius Jr e pranon se e ka humbur vendin startues

Nisin tensionet te Real Madridi, Vinicius Jr e pranon se e ka humbur vendin startues

Written by

in

Vinicius Junior është i vetëdijshëm se ka humbur vendin në formacionin titullar të Real Madridit, pas paraqitjeve të mira të skuadrës në ndeshjet ku ai ka munguar, raporton gazeta spanjolle Diario AS.

Sulmuesi brazilian mungoi në fitoren 3-0 ndaj Valencias të shtunën për shkak të suspendimit, por Reali edhe një herë dëshmoi se mund të funksionojë shumë mirë pa të.

Arda Guler, Jude Bellingham dhe Kylian Mbappe ishin ndër futbollistët që shkëlqyen në këtë përballje, duke e bërë edhe më të vështirë rikthimin e Viniciusit në formacionin bazë.

Sezoni aktual nuk ka qenë aspak i lehtë për brazilianin, i cili deri më tani ka realizuar vetëm një gol në të gjitha garat. Suspendimi prej katër ndeshjesh në garat vendore ia ka ndërprerë ritmin, ndërsa edhe në Ligën e Kampionëve nuk ka arritur të lërë gjurmë, me asnjë gol apo asistim.

Me Gulerin që po shfaq formë të shkëlqyer dhe Yan Diomanden që po përshtatet gjithnjë e më mirë në Santiago Bernabeu, Vinicius mund të përballet me konkurrencë të fortë për ta rifituar vendin e titullarit pas pushimit ndërkombëtar.

Megjithatë, trajneri Jose Mourinho vazhdon ta mbështesë futbollistin brazilian. Sipas raportimeve, komunikimi mes tyre ka qenë i vazhdueshëm, duke i dhënë sulmuesit më shumë qartësi për rolin e tij në skuadër, ndryshe nga periudha e kaluar nën drejtimin e Xabi Alonsos.

Mourinho e ka mbrojtur publikisht Viniciusin dhe vazhdon të besojë në aftësitë e tij, por njëkohësisht është i gatshëm të marrë vendime të vështira sa i përket formacionit.

Pavarësisht situatës, as Reali dhe as Vinicius nuk po mendojnë për ndarje në këtë fazë. Prioriteti i përbashkët është që 25-vjeçari ta rikthejë formën e tij më të mirë dhe të luftojë për një vend në formacionin titullar./Telegrafi/