G.B, 26-vjeçari shqiptar që shkaktoi ndjekjen policore gjatë së cilës humbi jetën polici italian Francesco Imprezzabile, është rikthyer në qendër të vëmendjes së mediave italiane.
Emri i tij përmendet edhe në një hetim të madh për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim të miliona eurove përmes blerjes së lingotave të arit.
Sipas gazetës italiane Quotidiano Nazionale, i riu dyshohet se ka qenë i përfshirë në një skemë ndërkombëtare të pastrimit të parave, ku të ardhurat nga trafiku i rreth 240 kilogramëve kokainë janë shndërruar në lingota ari, me vlerë prej të paktën 14 milionë eurosh, për t’u transferuar më pas drejt Shqipërisë.
Hetimi, i koduar “Caveau 38”, është zhvilluar nga Drejtoria e Antimafias në Milano dhe Guardia di Finanza në Lecco.
Në dokumentet e hetuesve, emri i tij dhe i disa familjarëve të tij përmendet si pjesë e personave që dyshohet se duhej të pranonin të ardhurat e paligjshme nga aktiviteti i trafikut të drogës.
Sipas dosjes hetimore, paratë pastroheshin përmes kompanive italiane që merreshin me përpunimin dhe tregtimin e metaleve të çmuara.
Njëra prej tyre kishte seli në Milano dhe Alessandria, ndërsa një kompani tjetër dyshohet se përdorej për investime në pasuri të paluajtshme. Në kuadër të hetimeve janë identifikuar 52 persona nën hetim dhe janë sekuestruar dy kompani.
Gazeta italiane publikon edhe detaje nga komunikimet e koduara që dyshohet se janë përdorur për koordinimin e transaksioneve.
Në një bisedë të datës 29 dhjetor 2020, kur ishte 20 vjeç, i riu diskutonte për dërgimin e qindra mijëra eurove nga Gjermania drejt Spanjës.
Në një prej mesazheve ai shkruante: “Paratë m’i dërgo në Alicante”, duke iu referuar një shume që, sipas hetuesve, arrinte në 366.650 euro.
Në një rast tjetër, më 25 nëntor 2021, një familjar i tij, i cili dyshohet se kishte dorëzuar 367.300 euro në një kompani në Alessandria.
Dy ditë më vonë, sipas hetimeve, kishte marrë 7.2 kilogramë ar, të cilat ishin fshehur në një hapësirë të posaçme të një veture Mercedes që udhëtonte drejt Shqipërisë.
Përveç hetimit për pastrim parash, Genti Berisha është në qendër të një çështjeje tjetër të rëndë që lidhet me vdekjen e policit lokal Francesco Imprezzabile.
Ngjarja ndodhi më 22 qershor 2026, kur 26-vjeçari, duke drejtuar një Audi Q8 me qira, nuk iu bind urdhrit të policisë për t’u ndalur në Milano. Kjo shkaktoi një ndjekje me shpejtësi të madhe, gjatë së cilës polici 39-vjeçar Imprezzabile humbi kontrollin e motoçikletës dhe u përplas për vdekje.
Gjatë marrjes në pyetje, Berisha kishte deklaruar se ishte larguar nga policia për shkak të disa gramëve hashash dhe se kishte vlerësuar gabimisht situatën. Ai kishte shprehur keqardhje për vdekjen e policit dhe kishte kërkuar falje ndaj familjes së tij, duke thënë se ishte i gatshëm të dëmshpërblente familjarët.
Ndërkohë, prokuroria po shqyrton edhe kërkesën e tij për marrëveshje mbi dënimin lidhur me rastin e vdekjes së policit, me seancën e radhës të paraparë më 25 nëntor.
I riu është dënuar më herët me tetë vjet burgim në një procedurë të shkurtuar në kuadër të një hetimi tjetër për trafik droge të zhvilluar nga Drejtoria e Antimafias në Brescia.
Në korrik ishte rikthyer në burg pas rëndimit të masës së sigurisë, ndërsa në tetor ishte vendosur sërish në arrest shtëpiak.
Hetuesit italianë po shqyrtojnë nëse ikja e tij nga policia në natën kur humbi jetën Imprezzabile lidhej vetëm me frikën nga zbulimi i një sasie të vogël hashashi, apo edhe me aktivitetin më të gjerë të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Deri më tani, kjo lidhje mbetet dyshim i hetuesve dhe nuk është vërtetuar./Telegrafi/