Shtohen sulmet ndaj kundërshtarëve të regjimit të Vuçiqit para zgjedhjeve

Shtohen sulmet ndaj kundërshtarëve të regjimit të Vuçiqit para zgjedhjeve

Written by

in

Ndër rastet e fundit të përmendura janë përplasja e kryetarit të Beogradit, Aleksandar Shapiq, me këshilltaren e lëvizjes “Kreni-promeni”, Tatjana Miqiq, si dhe sulmi ndaj një studenti në bllokadë në komunën e Grockës, i cili u plagos me kosë për prerjen e barit.

Sipas analizës, incidentet po kontribuojnë në normalizimin e sjelljeve të dhunshme në klimën politike para zgjedhjeve, ndërsa reagimet e autoriteteve vlerësohen si të pamjaftueshme.

Më 30 shtator, një vëzhgues në terren i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dyshohet se u sulmua fizikisht pasi refuzoi të fshinte pamjet e një baneri partiak në një mbikalim pranë Qendrës Sava në Beograd.

Në lidhje me këtë rast, agjencia theksoi se personi i lënduar ishte i angazhuar përmes një kompanie të jashtme dhe jo si punonjës i përhershëm i institucionit.

Analiza përmend edhe sulmin ndaj gazetarit të televizionit N1, Mladen Savatoviq, më 3 tetor, teksa po xhironte një reportazh për regjistrimin e 147 votuesve në tetë banesa në Beograd.

Sipas raportimit, Momqilo Mandiq, babai i pronarit të ndërtesës, Vladimir Mandiq, anëtar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), tentoi ta largonte ekipin e gazetarëve, duke e quajtur “televizion ustash”. Ai dyshohet se tentoi edhe të përfshihej në një përleshje fizike, por u ndalua nga një person që më vonë u identifikua si polic.

Gazetari kishte kërkuar ndihmën e policisë, por patrulla, sipas analizës, nuk kishte mbërritur në vendin e ngjarjes.

Po më 3 tetor, gazetarja Aleksandra Kostiq e portalit ‘Glas Shumadije’ u kërcënua derisa raportonte për transportimin e organizuar të përkrahësve të SNS-së nga Kragujevci drejt Beogradit, ku po mbahej një tubim partiak në Arenë.

Një tjetër incident u raportua në Beçej, ku Kristina Demeter Filipçev, redaktore e portalit ”Beçejski mozaik”, u përball me një punonjës të një ndërmarrjeje publike lokale, i cili ia mori telefonin gjatë filmimit të një tubimi të SNS-së dhe, pasi refuzoi t’ia kthente, e vendosi atë në degët e një peme.

Në komunën e Grockës, një grup studentësh që po zhvillonin një aktivitet derë më derë u përballën me një banor, i cili fillimisht shtyu njërin prej tyre dhe më pas dyshohet se sulmoi një student tjetër me kosë për prerjen e barit.

Studenti i plagosur u dërgua në Qendrën Urgjente, ku iu qep plaga. Analiza rikthen gjithashtu rastin e Tatjana Miqiq, për të cilën prokuroria kishte deklaruar se kishte pësuar lëndime të lehta në fytyrë. Sipas autorit të analizës, një raport mjekësor i mëvonshëm evidentonte frakturë të hundës dhe nofullës së sipërme.

Autori vlerëson se përsëritja e incidenteve dhe mungesa e përgjegjësisë së qartë ligjore e politike po krijojnë një klimë ku dhuna ndaj kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve rrezikon të bëhet gjithnjë e më e zakonshme në Serbi.

Burimi: RTKLive