Xhevat Prekazi, ish-futbollisti i njohur i Partizanit dhe Galatasarayt, ka vdekur në moshën 70-vjeçare.
Prekazi, i lindur në Mitrovicë, la gjurmë të rëndësishme në futbollin jugosllav dhe turk, duke luajtur për disa klube të njohura gjatë karrierës së tij.
Ai debutoi te Partizani në sezonin 1977/78, ndërsa për klubin nga Beogradi luajti deri në vitin 1983. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi tri herë titullin e kampionit të Jugosllavisë dhe Kupën Mitropa, ndërsa ishte pjesë edhe e përfaqësueses së të rinjve të Jugosllavisë.
Pas aventurës në Partizan, Prekazi luajti për Hajdukun e Splitit, Altay dhe Bakırköyspor, por periudhën më të rëndësishme e kaloi te Galatasaray.
Nga viti 1985 deri më 1991, ai zhvilloi 185 ndeshje në kampionatin turk dhe shënoi 40 gola, duke fituar dy tituj kampioni me klubin nga Stambolli.
Megjithatë, Prekazi ishte një figurë që shpesh kishte qëndrime kontradiktore sa i përket Kosovës. Edhe pse shqiptar me kombësi dhe i lindur në Mitrovicë, jetën e tij e ndërtoi kryesisht në Beograd, ku mbeti i lidhur ngushtë me Partizanin dhe më vonë punoi edhe në disa klube serbe.
Ai vazhdoi të ndiqte nga afër zhvillimet te Partizani, duke e cilësuar veten tifoz të madh të klubit.
Prekazi do të kujtohet për karrierën e tij të suksesshme në futboll, por edhe për raportin e ndërlikuar që kishte me vendlindjen e tij, Kosovën, ku shpesh deklaratat e tij i zhgënjyen tifozët e sportit në vendin e lindjes. /Telegrafi/