Mbi 1.1 milion lidhje në internet janë regjistruar përmes rrjetit publik falas WiFi4WB në Kosovë, ndërsa projekti ka përfunduar shtrirjen në 33 komuna, në gjithsej 43 lokacione.
Përfundimi i shtrirjes së projektit u shënua në një ceremoni të organizuar nga Komuna e Prishtinës, ku u nënshkrua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Prishtinës dhe GIZ-it.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se përdorimi i rrjetit dëshmon rëndësinë e qasjes falas në internet në hapësirat publike. Sipas tij, vetëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë regjistruar mbi 14 mijë lidhje brenda rreth gjashtë javësh.
Ai theksoi se interneti falas krijon mundësi më të barabarta për studentët, bizneset e vogla dhe qytetarët që përdorin shërbimet elektronike.
“Jemi duke shënuar përfundimin e shtrirjes së këtij rrjeti në 33 komuna të Kosovës, në gjithsej 43 lokacione. Nga sheshi i Podujevës deri te Biblioteka Kombëtare këtu në Prishtinë, kemi përmbyllur një projekt që tashmë po u shërben qytetarëve në mbarë vendin. Dhe ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se rezultatet nuk maten vetëm me numrin e pikave të instaluara, por edhe me përdorimin real të tyre. Mbi 1.1 milion lidhje në internet tashmë janë regjistruar përmes rrjetit Wi-Fi për Western Balkans në Kosovë, vetëm këtu në Bibliotekën Kombëtare janë regjistruar mbi 14.000 lidhje brenda një periudhe prej rreth 6 javësh”, tha ai.
Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi se numri i lidhjeve të regjistruara dëshmon nevojën e qytetarëve për qasje falas në internet.
“Sot, nga Prishtina, shënojmë përfundimin e shtrirjes së projektit WiFi4WB në të gjithë Kosovën, duke mundësuar internet falas në hapësirat publike në 33 komuna të vendit. Në pikat WiFi4WB në Kosovë janë regjistruar më shumë se 1.1 milion hyrje në rrjet. Vetëm këtu, në Bibliotekën Kombëtare, janë regjistruar më shumë se 14 mijë hyrje brenda vetëm pak javësh. Këto shifra dëshmojnë nevojën. Ato tregojnë se sa shumë shfrytëzohet një mundësi kur ajo u vihet në dispozicion qytetarëve”, tha Rama.
Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda, e cilësoi projektin si rezultat konkret të bashkëpunimit për zgjerimin e qasjes digjitale.
“Ky është një rezultat konkret, të cilin qytetarët mund ta përjetojnë drejtpërdrejt, duke pasur mundësi të lidhen falas me internetin në hapësirat publike në 33 komuna të vendit. Deri më tani, në këto pika të qasjes në internet në të gjithë Kosovën janë regjistruar më shumë se 1.1 milion hyrje në rrjet. Ky është një numër mbresëlënës, që dëshmon si kërkesën e madhe, ashtu edhe vlerën praktike të kësaj nisme. Kjo na kujton gjithashtu se transformimi digjital i Evropës nuk është diçka abstrakte”, tha ai.
Ndërkaq, shefi i Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Daniel Alker, theksoi se përveç instalimit të infrastrukturës, rëndësi të veçantë ka edhe mirëmbajtja e saj, në mënyrë që shërbimi të vazhdojë të funksionojë në afat të gjatë.
“Ky projekt është një shembull i mirë i asaj që mund të arrihet kur mbështetja evropiane dhe gjermane kombinohet me partneritet të fortë lokal në Kosovë. Kur flasim për Wi-Fi publik, ajo që shihet është shumë e thjeshtë: një pikë qasjeje dhe një lidhje interneti. Por, pas këtij rezultati të thjeshtë, qëndron një proces dukshëm më kompleks. Megjithatë, instalimi i infrastrukturës është vetëm një pjesë e procesit. Po aq e rëndësishme është të sigurohet që ajo të vazhdojë t’u shërbejë komuniteteve në afat të gjatë dhe që, së bashku, të arrijmë të ndërtojmë infrastrukturë të qëndrueshme në të mirë të qytetarëve. Mendoj se kjo është një pikë të cilën dëshiroj ta theksoj veçanërisht: qëndrueshmëria. Siç kemi dëgjuar, Bashkimi Evropian ka siguruar financimin fillestar për 18 muaj të projektit, por, natyrisht, ne dëshirojmë që kjo infrastrukturë të vazhdojë të shfrytëzohet dhe të mirëmbahet”, tha ai.
Burimi: Dukagjini
