
Endrit Nika, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase, Maria Clara Urdangaray, ka dale para gjyqit në Prishtinë, ku pritet vazhdimi i rigjykimit ndaj tij.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 shkurt ka shpallur aktgjykim ndaj Endrit Nikës, duke e dënuar me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.
Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj tij e ka ngritur më 11 shkurt 2025.
Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën Maria Clara Urdangaray, të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit.
Sipas aktakuzës, pasi që hyjnë në hotel, në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës, nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës, e ka nxjerrë kornizën e dritares, duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë.
Me ç’rast, siç thuhet në aktakuzë, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.
Me këtë, i akuzuari Endrit Nika ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.