Mbi 1 miliard euro për blerjen e rrymës, Tahiri kërkon hetim parlamentar

Mbi 1 miliard euro për blerjen e rrymës, Tahiri kërkon hetim parlamentar

Written by

in

Mbi 1 miliard euro për blerjen e rrymës, Tahiri kërkon hetim parlamentar

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se kërkesa e partisë së tij për debat parlamentar lidhur me sektorin e energjisë është miratuar nga Kryesia e Kuvendit dhe se kjo çështje do të diskutohet në seancën e së enjtes.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Tahiri ka thënë se debati do të përfshijë mungesën e energjisë elektrike, çmimin e rrymës, transaksionet dhe mënyrën e blerjes së energjisë.

Ai e ka cilësuar energjinë si një prej çështjeve më të rëndësishme për vendin dhe ekonominë e Kosovës.

Tahiri ka ngritur shqetësime për shumën e shpenzuar për blerjen e energjisë elektrike gjatë viteve të qeverisjes aktuale, duke thënë se mbi një miliard euro të shpenzuara për këtë qëllim duhet të jenë objekt i hetimeve dhe diskutimit parlamentar.

Sipas tij, përveç hetimit nga Prokuroria, nevojitet edhe një shqyrtim në Kuvend për mënyrën se si janë zhvilluar proceset e blerjes së energjisë dhe pasojat që ato kanë pasur në furnizimin e vendit.

“E besojmë që ajo që ka ndodhur këto vite të kësaj qeverie, pra blerja e rrymës mbi 1 miliard euro, është një çështje që do të duhej të kishte jo vetëm hetim brenda Prokurorisë, por edhe hetim dhe diskutim parlamentar, për shkak se është e pabesueshme që për gjashtë vjet mos me mujt me u renovu B1”, është shprehur ai.

Tahiri ka paralajmëruar se kjo situatë mund ta rrisë varësinë e Kosovës nga blerja e energjisë elektrike përmes tregtarëve të ndryshëm.

Ai ka theksuar se çështja e energjisë nuk lidhet vetëm me furnizimin, por edhe me ndikimin që ka në ekonominë e vendit dhe në çmimet që paguajnë qytetarët.

Përveç sektorit të energjisë, në seancën e së enjtes do të diskutohet edhe gjendja në shëndetësi.

Tahiri ka thënë se debati do të përqendrohet në shërbimet që ofrohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe vështirësitë me të cilat përballen familjet gjatë kërkimit të shërbimeve shëndetësore.

“Një temë tjetër po ashtu që do të trajtohet, ka të bëjë po ashtu edhe me aspektet e shëndetësisë. Në seancën e të enjtes mendojmë se ballafaqimi me QKUK-në, ballafaqimi me kërkesën e një shërbimi shëndetësor është ballafaqim me stresin më të madh që mund ta ketë një familje. Dhe këtë do ta trajtojmë prej perspektivës së shërbimit publik që ofron Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Tahiri.

Në këtë kontekst, ai ka kritikuar edhe planifikimin buxhetor për shëndetësinë, duke e vlerësuar si të dobët buxhetin e projektuar për vitin 2027.

Sipas tij, kushtet në sektorin shëndetësor dhe mjetet e parapara për këtë fushë do të jenë gjithashtu pjesë e diskutimit parlamentar.

Burimi: Insajderi