Biden flet për betejën me kancerin: Disa ditë janë më të mira se të tjerat, sëmundja po më ngadalëson

Biden flet për betejën me kancerin: Disa ditë janë më të mira se të tjerat, sëmundja po më ngadalëson

Written by

in

Biden flet për betejën me kancerin: Disa ditë janë më të mira se të tjerat, sëmundja po më ngadalëson

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka folur publikisht për gjendjen e tij shëndetësore dhe betejën që po zhvillon me kancerin e prostatës, duke pranuar se sëmundja po ndikon në aktivitetet e tij të përditshme. Në një deklaratë të publikuar të dielën, më 8 nëntor, Biden ka bërë të ditur se për shkak të gjendjes shëndetësore do të detyrohet të kufizojë paraqitjet publike për promovimin e librit të tij të ri me kujtime nga periudha presidenciale.

“Disa ditë janë më të mira se të tjerat. Sëmundja nuk më ka ndalur, por ndonjëherë më ngadalëson”, ka deklaruar Biden.

Ai ka theksuar se, pavarësisht vështirësive shëndetësore, mbetet i vendosur të vazhdojë aktivitetet e tij, megjithëse nuk do të mund të marrë pjesë në aq shumë diskutime dhe intervista sa kishte planifikuar.

“Fatkeqësisht, nuk do të mund të zhvilloj aq shumë biseda për librin tim sa kisha shpresuar. Megjithatë, shpresoj që fjalët e shkruara në faqe të flasin vetë”, është shprehur ish-presidenti amerikan.

Biden, i cili mbush 84 vjeç më 20 nëntor, u diagnostikua me kancer të prostatës në maj të vitit 2025, vetëm disa muaj pasi përfundoi mandatin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Në kohën e konfirmimit të diagnozës, zyra e tij kishte njoftuar se bëhej fjalë për një formë agresive të sëmundjes, e cila ishte përhapur edhe në kocka. Megjithatë, ishte bërë e ditur se kanceri ishte i ndjeshëm ndaj trajtimit hormonal, duke krijuar mundësi për menaxhimin e tij.

Gjendja shëndetësore e ish-presidentit ka qenë në vëmendje edhe pas largimit të tij nga detyra, ndërsa familjarët kanë folur publikisht për vështirësitë me të cilat ai po përballet.

Në muajin gusht, djali i tij, Hunter Biden, kishte deklaruar se sëmundja ishte përhapur më tej, duke e përshkruar si emocionalisht të rëndë për familjen gjendjen e të atit.

Pavarësisht kësaj, Biden ka vazhduar përgatitjet për publikimin e librit të tij të ri, të titulluar “Promise Me, America”, i cili pritet të dalë në shitje më 17 nëntor.

Libri përfshin kujtime nga katër vitet e tij si president i Shteteve të Bashkuara, sfidat me të cilat është përballur administrata e tij, vendimet politike dhe rolin e Amerikës në zhvillimet ndërkombëtare.

Biden ka bërë të ditur se përmes këtij libri synon të shpjegojë vendimet që ka marrë gjatë mandatit presidencial dhe bindjen e tij për rëndësinë e demokracisë amerikane.

Ish-presidenti ka theksuar gjithashtu se mjekët mbeten të inkurajuar nga mënyra se si organizmi i tij po i përgjigjet trajtimit, ndonëse beteja me sëmundjen vazhdon.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali