
Në vitin 2024, Departamenti amerikan i Shtetit, përmes programit Rewards for Justice, kishte një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione mbi personat e lidhur me projektin Rybar, duke përmendur dyshimet se rrjeti kishte marrë pjesë në operacione të ndikimit të huaj.
Pikërisht themeluesi i këtij rrjeti, u arrestua sot në Mal të Zi.
Kryeministri Millojko Spajiq, e konfirmoi se janë arrestuar disa shtetas rusë, mes tyre edhe Mikhail Zvinchuk.
Spajiq e cilësoi aksionin të suksesshëm dhe theksoi se prej kohësh është paralajmëruar se përpjekjet për veprimtari hibride dhe destabilizimin e Malit të Zi e shoqërojnë vazhdimisht rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.
Në një postim në kanalin e tij në gjuhën angleze, Rybar tha se të gjithë të ndaluarit “qëndronin ligjërisht në Mal të Zi dhe se ishte planifikuar filmimi i Manastirit të Cetinës, për të cilin ishte paraqitur më herët një kërkesë zyrtare”.
Rybar tha se ekipi i tij është në kontakt me Ministrinë e Jashtme të Rusisë, e cila po punon për zgjidhjen e situatës, duke pretenduar se “nuk është shkelur asnjë ligj i Malit të Zi”, raporton REL, transmeton Klankosova.tv
Gjatë luftës në Ukrainë, Rybar u bë një nga kanalet më me ndikim ushtarake proruse në Telegram.
Zvinchuk është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2023, për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe përhapjes së propagandës.
Bashkimi Evropian thotë se ai është anëtar i një grupi pune të formuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të koordinuar përpjekjet e mobilizimit në lidhje me luftën kundër Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë lidhur Rybar-in me operacionet e ndikimit të huaj dhe luftën informative. /Klankosova.tv