Dy sulme ajrore ruse goditën gjatë natës dhe në orët e para të së hënës qytetin Sumy, ku u plagosën të paktën dy persona. Njëri sulm shkaktoi zjarr në një ndërtesë banimi, ndërsa tjetri goditi një automjet.
Në qytetin Khmelnytskyi, një dron rus shkaktoi zjarr në disa shtëpi dhe dëmtoi dhjetëra të tjera. Nuk u raportua për të lënduar, por tri shtëpi pësuan dëme të rënda, ndërsa dy prej tyre mund të shpallen të shkatërruara.
Ndërkaq, në Kremenchuk, në rajonin e Poltavës, sulmet me dronë dëmtuan një ndërtesë banimi dhe një hotel, ku u plagosën katër persona, përfshirë një 16-vjeçar që u dërgua në spital me lëndime të rënda. Ekipet e emergjencës shpëtuan 15 persona nga zonat e goditura.
Në zhvillime diplomatike, Kremlini ka bërë të ditur se bisedimet për paqe në Ukrainë, që pritet të mbahen këtë javë në Abu Dhabi, do të zhvillohen në formatin trepalësh mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se zyrtarët evropianë nuk do të marrin pjesë në këto negociata.
Burimi: RTKLive
