Përfaqësuesi i Listës Studentore dhe ish-oficeri i Ushtrisë së Serbisë (VS), Luka Ponorac, tha se kjo forcë politike do të synojë që buxheti për sistemin e mbrojtjes të arrijë në pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), përkatësisht një rritje prej tri pikë përqindjeje.
Duke prezantuar programin e Listës Studentore, ai tha se zbatimi i këtij plani për sistemin e mbrojtjes do të varet nga gjendja reale e financave dhe burimeve njerëzore që qeveria e re do të gjejë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Serbisë. Ai paralajmëroi gjithashtu vazhdimin e modernizimit dhe zhvillimin e barabartë të të gjitha degëve dhe shërbimeve ushtarake.
“Deri më tani, projeksionet e buxhetit për ushtrinë kanë qenë afërsisht nga 2 deri në 2.5 për qind. Disa nga synimet, siç përcaktohen në program, janë që të synohet një rritje prej tri pikë përqindjeje, në mënyrë që të arrihen pesë për qind, sa është përcaktuar për ushtritë e vendeve të rajonit tonë, si në rajonin e afërt ashtu edhe në atë më të gjerë”, tha Ponorac, për Radio-Televizionin e Serbisë (RTS)
Lista Studentore paralajmëron rritje të barabartë të pagave për pjesëtarët e ushtrisë, nga 20 deri në 30 për qind, por edhe “korrigjimin e padrejtësive”.
“Ekziston një situatë ku një ushtar në njësinë speciale ka pagë më të lartë se një gjeneral. Ose një profesor në Akademinë Ushtarake, kolonel dhe doktor i shkencave, ka pagë më të ulët se një major në njësi, sepse Akademia i përket Ministrisë së Mbrojtjes dhe ata nuk marrin shtesën për shërbim në njësi”, shtoi Ponorac.
Ai tha se do të ketë edhe prioritete në blerjen e pajisjeve ushtarake.
“Për shembull, blerja e artilerisë raketore me rreze veprimi nga 150 deri në 300 kilometra. Natyrisht, edhe projekti i kupolës strategjike të mbrojtjes ajrore, me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë veprimi. Sistemi i rrjetëzuar për komunikim, komandim, drejtim dhe shkëmbim të informacioneve të sigurisë, pajisjet dhe sistemet për vëzhgimin dhe paralajmërimin ajror, si dhe blerja e mjeteve ajrore pa pilot”, deklaroi Ponorac për RTS-në.
Ai tha se Lista Studentore synon të forcojë edhe rolin e këshillave profesionalë, Institutit Ushtarak-Teknik dhe Qendrës së Testimeve Teknike, ndërsa puna e shërbimeve të sigurisë duhet të “kthehet në kornizat ligjore”, përkatësisht të hetohet përgjegjësia e individëve për punën e tyre eventualisht të paligjshme.
Sipas vlerësimeve të fundit të mediave vendore, me rishikimin e fundit të buxhetit për vitin 2026, për sektorin e mbrojtjes në Serbi ishin ndarë rreth 2.8 për qind e PBB-së, përkatësisht rreth 315.9 miliardë dinarë (rreth 2.37 miliardë euro).
Buxheti ushtarak në vitin paraprak, 2025, ishte rreth 2.5 për qind e PBB-së, raporton Nova.
Burimi: RTKLive
