Boksieri britanik Zak Miller ka dhënë lajme pozitive për gjendjen e tij shëndetësore, pasi pësoi një lëndim të rëndë në kokë gjatë përballjes me Gully Powar, në Manchester, për titullin vakant të kampionit britanik në kategorinë featherweight.
Përballja, e zhvilluar të shtunën në “AO Arena”, u ndërpre në raundin e dhjetë, pasi Miller pësoi një hematomë të madhe në kokë. Lëndimi erdhi pas një përplasjeje të pavullnetshme të kokave mes dy boksierëve, ndërsa ënjtja u rrit dukshëm gjatë vazhdimit të duelit.
Gjendja e tij shkaktoi shqetësim të madh, pasi hematoma u përhap në pjesën e ballit dhe rreth syrit, duke ia vështirësuar shikimin.
Mjeku pranë ringut e kontrolloi fillimisht në raundin e nëntë, por Miller vazhdoi edhe për dy raunde të tjera, para se të merrej vendimi për ndërprerjen e meçit.
Meqenëse lëndimi erdhi si pasojë e një përplasjeje aksidentale dhe jo nga goditjet e kundërshtarit, fituesi u përcaktua me vendimin e gjyqtarëve. Gully Powar triumfoi me vendim unanim dhe fitoi titullin britanik, me rezultatet 96-95, 97-94 dhe 96-94.
Pas përfundimit të duelit, Miller u dërgua në spital për ekzaminime të mëtejshme dhe qëndroi nën vëzhgimin e mjekëve. Menaxheri i tij, Kevin Maree, njoftoi se boksieri ishte në gjendje të mirë, ndërsa mjekët ishin të kënaqur me përmirësimin e tij.
Promotori i njohur Frank Warren e cilësoi lëndimin si një nga më të rëndët që kishte parë gjatë më shumë se 40 vjetëve në boks.
Ai gjithashtu bëri të ditur se kompania promovuese do t’i ofrojë Millerit gjithë mbështetjen e nevojshme gjatë rikuperimit. /Telegrafi/