E tërhoqi gruan për flokësh dhe e goditi me grusht në veturë – Policia bastis dy lokacione, i gjen armë 44-vjeçarit në Vushtrri

E tërhoqi gruan për flokësh dhe e goditi me grusht në veturë – Policia bastis dy lokacione, i gjen armë 44-vjeçarit në Vushtrri

Written by

in

E tërhoqi gruan për flokësh dhe e goditi me grusht në veturë – Policia bastis dy lokacione, i gjen armë 44-vjeçarit në Vushtrri

Një denoncim për dhunë në familje në Vushtrri ka çuar në bastisjen e dy lokacioneve dhe sekuestrimin e dy armëve, pasi një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj e kishte sulmuar fizikisht, fillimisht duke e tërhequr për flokësh e më pas duke e goditur me grusht gjatë rrugës për te familja e saj. Burri është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari është H.B. (44), ndërsa viktima është bashkëshortja e tij, Xh.B. (27).

Rasti është denoncuar më 9 nëntor, rreth orës 08:10, ndërsa incidenti i dhunës, sipas deklarimit të gruas, kishte ndodhur më 1 nëntor në fshatin Stanovc të Vushtrrisë.

Gruaja ka deklaruar se, derisa ndodhej në dhomë me bashkëshortin, ai e kishte kapur për flokësh dhe e kishte sulmuar fizikisht. Më pas, sipas saj, e kishte futur në veturë për ta dërguar te familja në fshatin Mihaliq, ku gjatë rrugës e kishte goditur edhe me grusht.

Në momentin e denoncimit, viktima nuk kishte raporte mjekësore për lëndime dhe nuk kishte kërkuar trajtim mjekësor. Sipas informacioneve, nuk kishte as shenja të dukshme të lëndimeve.

Bastisje në dy lokacione, Policia sekuestron dy armë

Pas denoncimit, Prokuroria ka autorizuar kontrollimin e vendbanimit dhe vendit të punës së të dyshuarit.

Bastisjet janë zhvilluar njëkohësisht në fshatin Milloshevë të Obiliqit dhe në Stanovc të Vushtrrisë.

Në Milloshevë, ku është hasur edhe i dyshuari, 44-vjeçari ka pranuar se posedonte një armë dhe u ka treguar policëve vendin ku ndodhej.

Aty është gjetur një armë me tytë të shkurtër, një karikator dhe shtatë fishekë.

Ndërkohë, gjatë kontrollit në Stanovc, Policia ka gjetur edhe një pushkë ajrore, për të cilën i dyshuari posedonte leje.

Të dyja armët janë sekuestruar në koordinim me Prokurorinë.

Pas bastisjeve, 44-vjeçari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Me vendim të Prokurorisë, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij po zhvillohen procedurat për dyshimet për dhunë në familje dhe posedim të paautorizuar të armëve.

/Gazeta Sinjali/

Burimi: Sinjali